Kim Kardashian dyshohet se është përballur me një tjetër incident të frikshëm me armë, gjatë një udhëtimi në Ugandë në vitin 2018, dy vjet pasi ishte plaçkitur nën kërcënimin e armës në Paris.
Detajet e ngjarjes janë zbuluar nga gazetari dhe biografi Jonathan Van Meter në librin e tij të ri, “Citizen Kim: The Woman Who Created the Future”, ku rrëfehet për udhëtimin e Kardashianit me ish-bashkëshortin Kanye West.
Duke cituar producenten ekzekutive të emisionit “Keeping Up with the Kardashians”, Farnaz Farjam, biografi shkruan se situata ishte përshkallëzuar pasi West ishte bërë paranojak dhe kishte dyshuar se dikush po përpiqej ta drogonte.
Sipas rrëfimit, reperi arriti t’i bindte policët vendas për pretendimet e tij, duke bërë që ata të ndërhynin të armatosur dhe të kontrollonin dhomat e personave që ndodheshin me çiftin.
Gjatë këtij incidenti, njëri nga policët dyshohet se ia drejtoi armën në kokë Kim Kardashianit, ndërsa situata u përshkrua si jashtëzakonisht e tensionuar.
E shqetësuar për sigurinë e ekipit, Farjam vendosi të siguronte një avion privat për t’i larguar të gjithë nga vendi.
Kim Kardashian dhe Kanye West kishin udhëtuar në Ugandë në tetor të vitit 2018, ku kishin shpërndarë atlete të markës Yeezy për fëmijët vendas dhe ishin takuar me presidentin e vendit, Yoweri Museveni.
Ky incident i pretenduar ndodhi dy vjet pas grabitjes së Kardashianit në Paris, në tetor të vitit 2016, kur ajo ishte kërcënuar me armë dhe ishte lidhur nga persona të armatosur.









