Kryetari i Prishtinës thotë se nuk ka plan për të garuar për kryeministër dhe i bën thirrje VV-së për qasje bashkëpunuese.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar ideologjinë e udhëheqësit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, duke e quajtur “të vjetër 120 vjet”.
Në një intervistë për “Interaktiv Talks” në Reporteri.net, Rama u pyet nëse ka plan të garojë për kryeministër dhe të ballafaqohet me Kurtin. Ai tha se nuk e ka në plan, duke u fokusuar tek kryeqyteti.
“Mendoj që ka shumë njerëz, edhe brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, edhe në parti të tjera, që mund të ballafaqohen lehtësisht me ideologjinë e, ndoshta, 120 vjet të vjetër të Kurtit. Nuk mendoj që Kosova ka vetëm një person që i ballafaqohet Kurtit – kemi shumë, vetëm duhet t’i përfshijmë dhe të ecim me proceset përpara,” deklaroi ai.
Rama gjithashtu i bëri thirrje Kurtit të reflektojë dhe të adoptojë një qasje bashkëpunuese, larg praktikave të qeverisjes përçarëse. “Në të njëjtën kohë, i uroj Kurtit që të reflektojë, të ndryshojë këtë mendësi dhe të bëhet më bashkëpunues, jo t’i mbajë qytetarët peng të një qeverisjeje përçarëse, siç ka ndodhur deri tash. Kjo është e nevojshme për vendin tonë, për kryeqytetin dhe për Kosovën. Përgjegjësia ime është ndaj kryeqytetit,” shtoi ai.








