Ish-deputetja e Vetëvendosjes e cilëson lajmin e Paparacit shpifës, të motivuar politikisht dhe paralajmëron padi.
Ish-deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Nazlie Bala, ka reaguar ndaj një lajmi të publikuar nga portali Paparaci, duke mohuar kategorikisht çdo lidhje familjare apo personale me personin e përmendur në rastin e raportuar.
“Nuk kam asnjë vëlla apo familjar me emrin Avdush Bala dhe nuk kam asnjë lidhje apo njohje me personin në fjalë”, ka deklaruar Bala, duke e cilësuar publikimin si shpifje të pastër, të qëllimshme dhe tendencioze.
Ajo ka theksuar se ndërlidhja e fabrikuar është e turpshme, e papranueshme dhe e motivuar politikisht, me qëllim të dëmtimit të reputacionit të saj personal dhe publik, veçanërisht në prag të zgjedhjeve. Sipas saj, këto veprime përbëjnë keqpërdorim të rëndë të lirisë së informimit dhe shkelje flagrante të etikës profesionale.
Bala ka kërkuar publikisht dhe zyrtarisht që portali Paparaci ta largojë menjëherë lajmin e pavërtetë dhe të publikojë përgënjeshtrim dhe kërkim faljeje. Në të kundërtën, ajo ka paralajmëruar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve ligjore, përfshirë padi për shpifje, për mbrojtjen e dinjitetit dhe integritetit të saj.








