Një urim i divës së muzikës shqiptare lexohet si mbështetje e koduar për Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti, vetëm pak ditë para zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Nga skena e muzikës në arenën politike, diva e muzikës shqiptare Adelina Ismaili ka arritur sërish të trazojë opinionin publik. Një mesazh në dukje i thjeshtë, i publikuar nga Zvicra, ka marrë menjëherë ngjyrim politik dhe është interpretuar si një thirrje e qartë elektorale në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Ismaili, e cila aktualisht ndodhet në Zvicër, ka ndarë me ndjekësit e saj një urim ku shkruan: “Me siguri dhe begati, sepse zviceranët nuk kanë lëshuar pe”. Në shikim të parë, mesazhi mund të lexohet si një vlerësim për stabilitetin dhe standardin e jetesës në shtetin zviceran. Megjithatë, në kontekstin e ndezur politik në Kosovë, fjalët e zgjedhura janë parë si gjithçka tjetër veçse të rastësishme.
Formulimi i mesazhit përkon pothuajse në mënyrë identike me sloganin zyrtar të Lëvizjes Vetëvendosje për këto zgjedhje: “Siguri dhe Begati – Mos lësho pe”. Krahasimi mes sloganit partiak dhe postimit të këngëtares ka nxitur reagime të shumta në rrjete sociale, ku shumë e kanë cilësuar këtë si një mbështetje të hapur, por artistikisht të koduar, për kryeministrin Albin Kurti dhe partinë e tij.
Duke përdorur terminologjinë e fushatës brenda një konteksti “zviceran”, Ismaili ka arritur të përçojë një mesazh politik pa e shndërruar postimin e saj në një thirrje të drejtpërdrejtë partiake. Kjo qasje është parë nga disa si e zgjuar dhe kreative, ndërsa nga të tjerë si propagandë e maskuar.
Kjo nuk është hera e parë që Adelina Ismaili shfaq hapur simpatinë e saj për Vetëvendosjen dhe liderin e saj. Në muajt e fundit, ajo ka qenë shpesh në qendër të debatit publik për qëndrimet e saj pro-qeveritare. Në disa intervista, Ismaili ka deklaruar se “tani është epoka e Albin Kurtit”, duke e cilësuar atë si një lider me ndikim që shkon përtej kufijve të Kosovës.
Madje, ajo ka ironizuar edhe kritikët që i përmendin këngën e saj të famshme “Ushtrinë time do ta bëj”, duke e lidhur simbolikisht me krijimin e ushtrisë gjatë qeverisjes aktuale, edhe pse procesi institucional për transformimin e saj ka nisur shumë më herët.
Afërsia e saj me pushtetin ka prodhuar reagime të polarizuara. Përkrahësit e shohin këtë si vazhdimësi të profilit rebel dhe politikisht të angazhuar të artistes, ndërsa kritikët e akuzojnë për shfrytëzimin e figurës publike në funksion të propagandës, duke ngritur dyshime edhe për përfitime të mundshme përmes projekteve apo financimeve kulturore.
Në çdo rast, një gjë duket e qartë: edhe këtë herë, Adelina Ismaili ka arritur të jetë në qendër të vëmendjes, duke dëshmuar se ndikimi i saj shtrihet shumë përtej muzikës.










