Në gjykimin për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën dha mbrojtjen i akuzuari Kadri Sheqiri, i cili deklaroi se u kidnapua nga Prokuroria dhe hetuesia gjatë kohës sa ka qenë në paraburgim.
Në rastin e 400 kilogramëve kokainë të ardhur nga Brazili, po akuzohen pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe katër të tjerë: Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi, Fehmi Bytyqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari Kadri Sheqiri pretendoi se para disa kohësh, prokurori i rastit Valdet Gashi për pak e shkeli me makinë.
“Kam qenë i kidnapuar nga Prokuroria e Shtetit dhe hetuesia, shkrune aty. Në kohën sa isha në paraburgim para se me e dhënë deklaratën kam qenë i kidnapuar. Kam qenë i kidnapuar nga shteti jem dhe prokuroria. S’muj ia bëj me gisht veç Valdetit se kanë marrë pjesë edhe shumë prokurorë aty. Pse kam qenë i kidnapum është se shtatë muaj ditë kam qenë i mbyllur. I kam pas të ndalume telefonatat me familje”, tha ai.
Fillimisht, kur u ballafaqua me deklaratën e 26 qershorit 2021 të dhënë në Prokurori, Sheqiri tha se ajo është deklaratë e rrejshme, por që nuk e ka bërë me qejf.
Në deklaratën e 2021-ës në Prokurori, Kadri Sheqiri u tha se kishte deklaruar se “me Faton Vrajollin ishte takuar njëherë në pazar të kerreve në Prishtinë rastësisht”, ndërsa më vonë kishte deklaruar se “ai ka mujt me e ditë se jam në pazar të kerreve përmes GPS-së”.
“Me qejf s’e kisha dhanë atë deklaratë, normal që e rrejshme”, ka thënë Sheqiri, pasi tha se asnjëherë se ka takuar Faton Vrajollin.
Si rrjedhojë e kësaj, Sheqiri bëri deklarimin lidhur me pretendimet për “kidnapimin” e tij nga ana e Prokurorisë.
Në seancë u tha se në deklaratën për Prokurorinë, Kadri Sheqiri ka pramuar që të bëhet dëshmitar bashkëpunues vetëm që t’i ndërpritet masa e paraburgimit.
Një gjë të tillë e pohoi edhe vetë i akuzuari, duke u përgjigjur me “Po, po”.
Sheqiri tregoi se ka dhënë disa herë deklaratë në Prokurori, duke pretenduar që është ftuar “sa herë nuk ka ditur nga t’ia mbajë prokurori”.
“Në Prokurori tash sipas unë që e kam analizu atje, sa herë nuk ka ditë kah me ja majtë prokurori më ka thirrë… Katër, pesë ose gjashtë. Ma mbyllke derën në burg. Më thirrke të nesërmen”, tha Kadri Sheqiri.
I akuzuari tha se gjatë kohës së paraburgimit, e ka pasur avokate një grua emrin e të cilës nuk ia di. Por, më vonë thsksoi se ajo emrin e ka pasur Mirella.
“Sa kam qenë në paraburgim e ka marrë ajo një kërkesë nga gjykatë me m’vizitu edhe sipas drejtorit Burim Buleshkajt me pseudonimin- djali i Milloshit, ai më ka marrë në telefon edhe sa kam qenë në dhomë erdh oficeri, më tha ki vizitë me avokatin edhe më tha po të thirrë drejtori. Shkoj tek kabina aty dhe foli me drejtorin edhe më ka thënë po më thirrë Valdeti- prokurori se pse po takohesh me avokaten”, u shpreh i pandehuri.
Sipas tij, kur është kthyer pas vizitës e cila është realizuar nga avokatja, kanë nisur që ta shantazhojnë. Ai pretendon se prokurori ka urdhëruar që atij t’i mbyllet dera dhe të mos lihet që të dalë.
“Kanë nisë me më shantazhu. Unë e kam sha në atë moment. S’i kam dallu asnjë prej kryeministrit e teposhtë. Ia kom ba kërkesën me më zbrit poshtë. Prokurori Valdet Gashi iu ka thanë ‘mshelja derën dhe mos e leni as jashtë me dalë’”, tha Sheqiri
I akuzuari përmendi edhe një intervistë me prokurorin, duke thënë se i ka pasur në letër para se të shkojë atje se çfarë pyetje do i bëhen dhe se çfarë do të thotë ai. Po ashtu, ai pohoi se me prokurorin e rastit kanë folur edhe pa procesverbal.
Në anën tjetër, i pyetur nëse e ka parë ndonjëherë Izet Sheqirin në burgin Dyz kudo brenda hapësirës së institucionit, ai e mohoi.
“Jo s’e kam taku dhe as s’e kam pa. Kur ka ardhë Izeti kam qenë nalt. Ka ardhë Burim Buleshkaj qaj që m’i ka ba krejt dallaveret, u ardë hmas dy-tri dite dhe tha që Izeti ka ardhë dhe e ke të ndaluar këtë këtë, këtë. Le që e kam pas të ndalume me Izetin me fol, por edhe me të terët që kanë qenë, por jo me disa të tjerë të porositur prej Prokurorisë e Shtetit dhe hetuesia. Ata kanë ardhë kur kanë dashtë”, tha ai.
I akuzuari thotë se herën e parë ka qëndruar në Dyz 8-9 ditë, pastaj është transferuar në Prizren për po aq ditë dhe sërish është kthyer në Dyz. Në Prizren, ai tha se e kanë vizituar vetëm familja.
Sheqiri tha se e ka pasur të ndaluar që të qëndrojë me të paraburgosurit e tjerë, përveç disa personave që sipas tij, kanë qenë të porositur nga Prokuroria dhe hetuesia.
Ndërkaq, lidhur me deklaratën se ka shkruar letra dhe ia ka dërguar prokurorit, Sheqiri pranon për një të tillë.
“Prokurorit të vetmen letër që ia kam shkru me m’hjek prej atyhit që është me protokoll të burgut. Qajo letër është me kërkesë timen. Pastaj, prokurori ka dhanë urdhër me ma mshel derën veç për qat fjalë që kam kërku me m’qit poshtë”, tha Kadri Sheqiri.
Ndërsa, një letër tjetër që u prezantua në Gjykatë, Kadri Sheqiri tha se e përmban vetëm nënshkrimin e tij dhe ajo ka ardhur nga një oficer, i cili sipas tij, e kishte sjellë natën
“Nuk është veç kjo, janë edhe tri a katër të tjera. Kisha dashtë me i qit Prokuroria se nashta ka diçka edhe në ato… Unë këtë se kam shkru, kjo ka ardhë me urdhër të hetuesisë, ka ardhë te disa individë të paraburgosur dhe ata ia kanë dhënë oficerit. Ata kanë thënë që e ka lyp Prokuroria se përndryshe nuk po mundet me të lëshu. Qata po thom me i pas qato dy a tri”, deklaroi Sheqiri.
Ai thekson se në atë letër vetëm nënshkrimin e ka vendosë, pasi oficeri e ka sjellë. Tha se ka parë edhe dokumente që kanë pasur edhe numrin e bashkëshortes së tij.
Kur u pyet se a e di se sa lloje të drejtësisë janë, meqë është përmendur në letër, i akuzuari tha “Pasha Zoti te na thonë ra qekjo dekë e pamë. Ra qeky burg edhe e pashë, s’po shoh në Kosovë që drejtësi po ka”.
Sheqiri tha se e kanë vendosur në mes dy zgjedhjeve se a dëshiron që t’i shohë fëmijet apo t’i thotë disa fjalë.
“Një rast e kam pas prej qetyne shantazheve të tyre se këta një grup janë kanë që kanë vra, edhe me njerëz të BIA-s me kanë çu. 5 grupe kanë qenë të ndryshme. Prokuroria, hetuesia… A ka pas ma ran për mua- shembull me m’i pru fotot e fmive të mi në burg apo don fminë me i pa apo don qito fjalë me i thanë. Prej kujna– prej Prokurorisë dhe hetuesisë. Këta e kanë dhanë urdhrin”, tha ai.
Ai pretendon se prokurori Valdet Gashi, para një viti për pak e ka shkelur.
“Para një viti gati më ka shkel. Kam pshtu. Prokurori Valdet Gashi për dy metra gati më ka shkel, e herën tjetër nashta më shkel krejt”, tha ai.
Gjatë përgjimit në qelinë e tij, thuhet se Sheqiri e ka përdorur fjalinë “S’kanë qare pa pranu se mafia u hi këtu”. Lidhur me këtë deklarim, Sheqiri u pyet sot në gjykatë.
“Unë ma herët kallzova deri sa më kanë ardhë fotografitë e fmive të mi, çka me thanë tjetër. Po, po (ekam për ata që mi kanë dhënë fotografitë)”, tha Sheqiri.
Dëshmitari pohoi se ka pranuar që të bëhet dëshmitar bashkëpunues vetëm që t’i ndërpritet paraburgimi. Në burg, ai tha se vizitat që i ka pasur, i ka mbajtë në dhomë të mbyllur.
Sipas tij, tri vite para se të ndodhte arrestimi i tij dhe mbajtja në paraburgim, nuk ka shkuar ansjëherë në zyrën e Faton Vrajollit.
“Jo dy vite, por shtoja edhe një… Ma shumë se tre vite s’jam kanë”, tha ai.
I pyetur se cila ka qenë arsyeja që ka shkuar në MC FOOD kur e kishte kuptuar se ka hyrë Policia, në një deklaratë u tha se ai kishte thënë se ka menduar që kanë hyrë hajnat ose e paskan vjedhë mallin (narkotik). Por, i akuzuari sot mohoi se e ka përmendur fjalën narkotik.
Kadri Sheqiri thotë se e vërtetë është vetëm deklarata që e ka dhënë në Polici.
Ndërkaq, i pyetur se pajtohet se ka gënjyer para prokurorit më 26 qershor 2021 vetëm për t’u liruar nga paraburgimi, ai e pohoi.
“Fiks edhe me shpëtu fëmijën e mi prej këtyre bandave. Prokurorisë, se munden me kanë edhe dy a tre, e ky mas pakti me pas faj”, tha ai.
Gjithashtu, i pandehuri tha se Prokuroria dhe hetuesia s’e kanë lënë as të shkojë për një trajtim shëndetësor.
Kadri Sheqiri tha se në kompaninë MC FOOD ka punuar si komercialist dhe se përsipër e ka pasur Prishtinën si regjion.
“Kam pas pika të caktume për ato çka kam qenë përgjegjës me e marrë porosinë se çka kërkon pika dhe mandej me e dërgu, i kem pas palmerat iu thojshum që me i dërgu për me i porositë në zyrë të kompanisë”, tha i pandehuri.
Ai mohoi se ka pasur mundësi që të hyjë në depo të kësaj kompanie pa lejen e depoistit.
“Jo unë, por as kolegë e mi që e kemi pas detyrën e njëjtë s’kemi mujt me hi”, tha ai.
Në fund, mbrojtësi i Izet Sheqirit, avokati Korab Sejdiu tregoi se më 8 janar i përfundon aktvendimi për paraburgim. Tha se rrethanat tashmë kanë ndryshuar dhe Prokuroria e ka përfunduar rastin.
Ai shtoi se janë bërë gati pesë vite dhe më nuk mund të quhet paraburgim, por vuajtje dënimi pa aktgjykim. Tha se çdo standard i konkretizuar në GJEDNJ është cenuar.
Sipas Sejdiut, klienti i tij po paragjykohet, duke shtuar se ai është marrë vetëm me shitje të produkteve ushqimore.
Avokati tha se kombinimi i arrestit shtëpiak me dorëzani prej 9.3 milionë euro sipas vlerësimit profesional të pronave, do të arrinte qëllimin në këtë fazë të procedurës që të sigurohet prezenca e të pandehurit në procedurë.
Ai kërkoi këtë masë në mënyrë që edhe mbrojtjes t’i lejohet që të ushtrojë profesionin e saj në mënyrë më të lehtë.
Ndërsa, kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni tha se Gjykata nuk mund të lëshohet në elaborimin e aktvendimeve sepse arsyetimi është dhënë me shkrim. Tha se këto vendime mund të atakohen në hierarki gjyqësore për vlerësime.
Gjykatësi tha se pretendimet e reja të ngritura nga avokati, do të trajtohen nga trupi gjykues në aktvendimin e radhës.
Gjykimi pritet të vazhdojë në janar 2026.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, të akuzuar janë pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe gjashtë të tjerë, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.








