Një deklaratë e fortë publike është publikuar së fundmi nga menaxhmenti i Kushtrimit, lidhur me një situatë të ndodhur në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova.
Reagimi vjen pas gjuhës së përdorur nga Labinot Rexha ndaj Kushtrimit, e cila sipas tyre ka kaluar çdo kufi komunikimi dhe respekti.
Në deklaratë theksohet se nuk bëhet fjalë për një incident të izoluar, por për një sjellje të përsëritur që tashmë ka tejkaluar çdo tolerancë.
Ata kërkojnë reagim të qartë dhe të drejtë nga produksioni, duke nënvizuar se gjuha e urrejtjes dhe etiketimet fyese nuk duhet të kenë vend në këtë format.
Më poshtë, deklarata e plotë e publikuar nga familja, menaxhmenti dhe mbështetësit e Kushtrimit:
Si menaxhment, familjarë dhe mbështetës të Kushtrimit, ndjejmë obligim të reagojmë ndaj gjuhës së papranueshme të përdorur sot nga Labinot Rexha në Big Brother VIP Kosova, ku Kushtrimi u etiketua në mënyrë fyese si “serb”.
Kjo nuk është hera e parë që Labinoti kalon kufijtë e komunikimit. Më herët kishte kërcënuar Kushtrimin duke i thënë se “nuk do ta lejojë të këndojë në Zvicër”. Atëherë zgjodhëm të mos e bëjmë të madhe situatën, në respekt të lojës dhe formatit, por sot u tejkalua një vijë ku heshtja nuk është opsion.
Megjithatë, përdorimi i etiketave me prapavijë etnike është i patolerueshëm, i rrezikshëm, ofendues e përçarës.
Kërkojmë reagim të qartë e të drejtë nga produksioni, për të garantuar se gjuha e urrejtjes dhe etiketimet degraduese nuk kanë vend në këtë format. Ku ngjashëm në të kaluarën, etiketimet të tilla janë ndëshkuar me zarf të zi e përjashtim të menjëhershëm. Standardet nuk duhet të jenë selektive!
Dinjiteti i Kushtrimit dhe familjes së tij, nuk negociohet.









