“Nëse je i pasur, mund të bësh çfarë të duash.” Kjo fjali duket se përmbledh në mënyrë perfekte historinë e pazakontë dhe tronditëse të një miliarderi kinez, e cila ngjan më shumë me një skenar filmi fantastiko-shkencor sesa me realitetin e ditëve tona.
Sipas Corriere della Sera, Xu Bo, një miliarder kinez që ka ndërtuar pasurinë e tij nga industria e lojërave online, akuzohet se ka sjellë në jetë dhjetëra, madje qindra fëmijë, përmes shtatzënive me nënë surrogate në Shtetet e Bashkuara, pa i njohur kurrë personalisht shumicën e tyre.
Alarmi u ngrit në sistemin gjyqësor amerikan kur gjyqtarja e Los Angeles-it, Amy Pellman, vendosi të pezullojë disa procedura ligjore, pasi u vu re një numër jashtëzakonisht i madh kërkesash për njohje fëmijësh të lidhura me të njëjtin emër: Xu Bo. Hetimet që pasuan zbuluan përmasa tronditëse.
Sipas burimeve pranë çështjes, Xu Bo mund të ketë të paktën 100 fëmijë vetëm në Kaliforni, të gjithë meshkuj, dhe rreth 300 të tjerë në Kinë, të lindur përmes surrogacisë ose nga marrëdhënie jashtë martese. Një “perandori biologjike” e ndërtuar me para, kontrata dhe klinika mjekësore.
Xu Bo, i lindur në Wuhan në vitin 1977, zyrtarisht pranon vetëm 12 fëmijë nga gjashtë gra të ndryshme, asnjëra prej të cilave nuk ka qenë bashkëshortja e tij. Ai ka deklaruar publikisht se nuk beson në martesë, duke e cilësuar atë si një institucion të dështuar që shpesh përfundon me divorc dhe ku, sipas tij, gratë dalin të humbura.
Rasti ka ndezur një debat të madh në Kinë, ku gjithnjë e më shumë individë super të pasur po i drejtohen surrogacisë si mjet për të siguruar trashëgimtarë, kryesisht meshkuj. Në shumë raste, procesi shkon edhe më tej: përzgjedhja e nënës bëhet sipas kritereve të bukurisë, inteligjencës, gjatësisë apo forcës fizike.
Madje, raportohet se janë krijuar agjenci të specializuara, të cilat ofrojnë vezë nga modele apo gra të konsideruara “gjenetikisht superiore”, me synimin për të krijuar trashëgimtarë “idealë” dhe për të ndërtuar aleanca familjare, të ngjashme me ato të epokës perandorake kineze.
Rasti i Xu Bo-së ka rikthyer kujtime të forta të traditave të vjetra dinastike, të cilat Mao Zedong kishte tentuar t’i zhdukte gjatë Revolucionit Kulturor. Sot, ndërsa Kina avancon me hapa gjigantë në teknologji, inteligjencë artificiale dhe shkencë, një pjesë e elitës së saj duket se po rikthehet tek praktika të vjetra, duke e përdorur pasurinë si mjet për të kontrolluar jetën, trupin dhe trashëgiminë.
Një histori që ngre pyetje të forta etike, ligjore dhe njerëzore: deri ku shkon fuqia e parasë – dhe kush i mbron fëmijët në këtë realitet të ri?






