Kryetari i Degës së LDK-së në Mitrovicë, Gëzim Plakolli, ka qëndruar sot në Vushtrri, ku ka bërë të ditur se degët e LDK-së në Vushtrri dhe Mitrovicë kanë arritur dakordim për përkrahje të ndërsjellë në zgjedhjet nacionale të dhjetorit 2025
Sipas tij, dy degët janë pajtuar që të ecin krah për krah në këtë proces zgjedhor, duke përkrahur katër kandidatë nga dy komunat: Rrezarta Krasniqi (36), Isak Uka (76), Muharrem Asllani (103) dhe Roni Kosmann (104).
Plakolli, përmes një postimi në Facebook, ka theksuar se kjo përkrahje vjen me bindje dhe përkushtim të plotë, duke ftuar qytetarët dhe elektoratin që të mobilizohen dhe t’i mbështesin kandidatët e përbashkët.
“Kur jemi bashkë, fitojmë më shumë se zgjedhje – fitojmë të ardhmen. Kjo është thirrje për unitet, besim dhe përgjegjësi. Vetëm të bashkuar jemi më të fortë, vetëm së bashku fitojmë”, ka shkruar ai.










