Fotografitë e tij, të cilat nuk ishin të zakonshme dhe që përcillnin dhimbje të thella, tronditën botën. Ron Haviv, fotoreporteri amerikan, pasqyroi përmes aparatit të tij vuajtjet e njerëzve gjatë shpërthimit të luftërave në ish-Jugosllavi.
Sot, duke kujtuar atë periudhë, Haviv shprehet se puna e tij pati ndikim të madh në tërheqjen e vëmendjes së komunitetit ndërkombëtar ndaj krimeve që po kryheshin në Ballkan.
“Kur lufta u përhap në Bosnje, me rrethimin e Sarajevës dhe me punën që bëra në Bijelinë dhe në kampet e burgimit – Trnopolje, Omarska – ndonëse vetë nuk shkova në Omarska por në Manjaçë e vende të tjera, bota filloi të tregonte më shumë interes. Gazetarët nisën të merrnin një rol më aktiv, madje edhe më të ashpër, veçanërisht gjatë rrethimit të Sarajevës, që kulmoi me intervistën e Christiane Amanpour me presidentin amerikan Bill Clinton, ku ajo praktikisht e sfidoi hapur për mosveprim. Gjithmonë kishte frikë se, nëse lufta në Bosnje nuk përfundonte shpejt, ajo do të përhapej në Kosovë, dhe shumica mendonin se Kosova do të ishte konflikti më i rëndë nga të gjithë”, tha ai.
Pas Bosnjës, lufta shpërtheu edhe në Kosovë.
Haviv, së bashku me disa kolegë të tjerë, mbuloi ngjarjet më të përgjakshme – nga masakra e Reçakut deri te rezistenca e Jasharëve.
“Unë dhe kolegët e mi, duke raportuar nga Reçaku, te Jasharët dhe ngjarje të tjera, po u kujtonim Tony Blair-it, Bill Clinton-it dhe liderëve të tjerë që kishin negociuar paqen në Bosnje, të cilët besonin se Milosheviçi u kishte premtuar fundin e konfliktit, se në fakt asgjë nuk kishte përfunduar. Gjatë fushatës presidenciale amerikane të vitit 2000, pata mundësinë të kaloj pak kohë me zëvendëspresidentin Al Gore. E pyeta pse reagimi ndaj Kosovës, megjithëse i ngadalshëm, ishte shumë më i shpejtë sesa ndaj Bosnjës. Ai tha se kjo ishte pjesërisht merita e gazetarisë dhe deri diku e fotografisë, sepse ata po shihnin sërish të njëjtat skena që kishin parë në Bosnje për katër vjet me radhë. Njerëz të ndryshëm, por ndërtesat, fytyrat dhe sidomos krimet e luftës ishin jashtëzakonisht të ngjashme. Kjo krijoi një ndjenjë faji dhe presioni që e bëri të pashmangshme ndërhyrjen në Kosovë”, tregon fotoreporteri amerikan.
Materialet e fotoreporterit amerikan, nga viti 1991 deri në vitin 2000, u përdorën si dëshmi për ngritjen e akuzave dhe dënimin e kriminelëve të luftës në gjykatën ndërkombëtare në Hagë.
Gjatë karrierës së tij, Ron Haviv ka mbuluar më shumë se 25 konflikte nëpër botë.






