Ndryshimet në listat e subjekteve politike për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, janë vetëm formale. Emra të vjetër të ripaketuar në lista të reja.
Në thelb, dallimet mes listave të zgjedhjeve të kaluara para dhjetë muajve dhe atyre të protokolluara të dielën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë shumë të vogla.
Diferencën në listat zgjedhore që do të kandidojnë më 28 dhjetor e bëjnë një numër i vogël, por kontradiktor i të listuarve.
Vetëvendosje garon me ministren me aktakuzë dhe me ish-njeriun e PDK-së
Lëvizja Vetëvendosje garon me një listë ku dhjetë emrat e parë janë të njëjtit nga zgjedhjet e kaluara. Nën këta kandidatë, lista e partisë në pushtet përmban një mish-mash të personaliteteve – po ashtu ngjashëm me zgjedhjet e kaluara.
Aty ndodhen sërish ish-kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, aktorja Adriana Matoshi dhe profesori i edukimit fizik e trajneri i futbollit, Bylbyl Sokoli.
Emra të rinj janë dy analistët Blerim Gashi e Viktor Buzhala, të cilët pasi hoqën mund të madh të arsyetonin nëpër studio televizive skandalet e pushtetit të Vetëvendosjes në pesë vitet e fundit, do të sfidohen para votuesve më 28 dhjetor.
Listës nuk i mungon as Rozeta Hajdari, ministrja në detyrë e Tregtisë e cila tri ditë pas dorëzimit të emrat me kandidatët për deputetë do të paraqitet në gjyq për herë të parë pas ngritjes së një aktakuze për korrupsion nga Prokuroria Speciale.
Kontradikta kryesore fshihet te numri 60 i listës së Vetëvendosjes: Naim Bardiqi, një njeri me të kaluar “të përjetshme” në administratën publike. Bardiqi, i cili ka ushtruar funksionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Shëndetësisë deri para katër muajsh, është një shërbyes civil që dikur njihej për afërsinë me PDK-në.
Në vitin 2018, kur Uran Ismaili i PDK-së udhëhiqte me Ministrinë e Shëndetësisë, Bardiqi ishte emëruar për herë të parë në krye të administratës së MSh-së. Ismaili e përshkruante Bardiqin si “krah të fortë” të tijin.
Me rënien nga pushtetit të PDK-së, Bardiqi s’kishte humbur kohë. Ishte afruar me pushtetin e Vetëvendosjes që e kishte ri-emëruar në pozitë më 2021.
Mungesa e listës? Bie në sy një emër nga kabineti qeveritar i Qeverisë Kurti 2. Është ai i zëvendësministrit në detyrë të Punëve të Brendshme dhe një nga figurat kryesore të partisë Guxo, Blerim Gashani.
“Administratori” i Hekuran Muratit garon me PDK-në
Ngjashëm si lista e Vetëvendosjes, edhe ajo e PDK-së krijon efektin e përsëritjes me imazh të ri.
Përveç emrave të rinj që derivojnë nga lista e Eman Rrahmanit, ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje që në zgjedhjet e kaluara garoi me koalicionin e Listës për Famlijen, befasi e listës së PDK-së është Ilir Murtezaj, i besuari i Hekuran Muratit nën udhëheqjen e Administratës Tatimore të Kosovës në katër vitet e fundit.
Murtezajt, të cilit iu besua nga Vetëvendosja drejtimi i organit kyç të tatimeve në vitet e fundit, ka aderuar zyrtarisht në PDK tre muaj pas dorëzimit të detyrës te drejtori i ri i ATK-së.
Ish-drejtori i ATK-së, i emëruar në pozitë në kohën kur Ministrinë e Financave e udhëhiqte Bedri Hamza, tash kandidat për kryeministër dhe bartës i listës së PDK-së, tha të dielën se i është bashkuar listës pas ofertës nga Hamza.
“Ditëve të fundit kam pasur oferta të ndryshme për angazhimin tim profesional, si dhe oferta për angazhim politik. Mirëpo, duke e vlerësuar lart ofertën e Kryetarit Bedri Hamza dhe të Partisë Demokratike të Kosovës për t’iu bashkuar ekipit të fitores në partinë shtetformuese, PDK-në, u ndjeva shumë i nderuar për besimin dhe mundësinë e ofruar që t’i shërbej vendit dhe shoqërisë në një dimension tjetër”, tha Murtezaj në një postim në Facebook të dielën.
Pjesë e listës së PDK-së, të dorëzuar të dielën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, është edhe Adriatik Berisha, doktori i Hematologjisë në QKUK, i njohur si njeriu që mjekoi babain e ish-presidentit Hashim Thaçi.
Nuk mungojnë as ish-kandidati për kryetar të Mitrovicës dhe një nga befasitë më të mëdha të zgjedhjeve lokale, Arian Tahiri, si dhe ish-deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj.






