E kaluara e Racit në poste ekzekutive, si ajo e ‘zyrtarit të antenës’ në një projekt të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal të financuar nga BE-ja, ngjall dyshime nëse Lëvizja Vetëvendosje po e rezervon asetin partiak për kabinetin qeveritar.
Tashmë të gjitha partitë politike kanë publikuar listat e deputetëve për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Një nga emrat që nuk është futur në listën e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje është analisti i studiove televizive, Gazmir Raçi.
Raçi ishte jashtëzakonisht aktiv në përkrahje të partisë në pushtet, por kjo gjë duket se nuk i ka bërë përshtypje liderit të kësaj partie, Albin Kurti.
Anipse në zgjedhjet e 9 shkurtit Raçi ishte pjesë e listës së deputetëve të VV-së me numrin 96, në këto zgjedhje ai ka mbetur jashtë liste.
Arsyet për mbetjen e tij jashtë listës së deputetëve nuk dihen, teksa Raçi deri më tani nuk është deklaruar për lënien jashtë garës për Kuvendin.
Po ashtu, nuk dihet nëse Raçi do të kthehet përsëri në debate televizive pas këtyre rrethanave të reja.
Kujtojmë se në zgjedhjet e 9 shkurti Raçi kishte fituar mbi 10 mijë vota.
Raci ishte angazhuar të shtynte përpara narrativa pro-qeveritare gjatë katër viteve të fundit duke shfrytëzuar paraqitjet si analist në studiot televizive.
Rreth dy vjet më parë, mediat raportuan se Raci ishte angazhuar në një projekt të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, të financuar nga Bashkimi Evropian.
Projekti tregonte se Raci ushtron pozitën “Zyrtar i Antenës për Sekretariatin e Përbashkët Teknik (SPT) për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA Mali i Zi-Kosovë”, në kuadër të programit IPA.






