Gashi argumenton se Limaj paraqet vlerë politike, institucionale dhe elektorale për PDK-në.
Ish-rektori Ibrahim Gashi ka deklaruar se përfshirja e Fatmir Limajt në listën zgjedhore të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) do të ishte një vendim strategjik që do t’i sillte partisë vlera të shumëfishta politike dhe elektorale.
Sipas Gashit, Limaj mbetet një nga figurat më të konsoliduara të brezit të luftës, me kontribut të pakontestueshëm si luftëtar dhe komandant, gjë që i ka siguruar respekt të gjerë shoqëror dhe një kredibilitet të vazhdueshëm publik. Ai theksoi se Limaj ka dëshmuar kapacitete të larta institucionale edhe në periudhën e pasluftës, duke shërbyer si nënkryetar i PDK-së, ministër i suksesshëm, deputet në disa legjislatura, si dhe kryetar i një subjekti të veçantë politik.
Gashi vlerëson se Limaj sot përfaqëson një aset elektoral të rëndësishëm me ndikim mbi 20 deri në 30 mijë vota, të cilat do të mund të rritnin ndjeshëm potencialin mobilizues të PDK-së. “Integrimi i tij në listën e PDK-së do të zgjeronte mbështetjen në zona kyçe dhe do të forconte imazhin e partisë si një subjekt që bashkon figura me përvojë të provuar në luftë, shtetndërtim dhe qeverisje”, tha ai.
Sipas tij, afrimi i Limajt nuk do të ishte vetëm një lëvizje simbolike, por një investim i qartë në fuqizimin e kapacitetit konkurrues të PDK-së në zgjedhjet e ardhshme.






