Marrëdhëniet e ngushta shpesh përballen me situata delikate, veçanërisht kur kufijtë personalë nuk respektohen. Ky rrëfim tregon për një grua që, pas shumë vitesh miqësie të fortë, përballet me sjelljen gjithnjë e më shqetësuese të shoqes së saj, e cila ka nisur të flirtojë hapur me bashkëshortin e saj.
Ajo gjendet mes dëshirës për të ruajtur miqësinë dhe nevojës për të mbrojtur respektin dhe qetësinë brenda marrëdhënies së vet, shkruan “The Mirror”.
Situata është bërë aq e pakëndshme, sa tashmë kërkon një zgjidhje të matur dhe të sinqertë.
Rrëfimi i plotë
Kam një shoqe shumë të mirë, të cilën e njoh prej gati dhjetë vitesh dhe e vlerësoj shumë miqësinë me të. Ajo ka humor të shkëlqyer, nuk paragjykon dhe ka qenë gjithmonë e sjellshme dhe besnike.
Por problemi është se, gjatë 18 muajve të fundit, ajo është bërë tepër flirtuese me bashkëshortin tim, zakonisht kur dalim me miq dhe ka alkool në lojë. Ai është gjithmonë njeriu që gjallëron çdo festë, ndaj e merr me sportivitet, por jam absolutisht e sigurt se për të nuk ka asgjë më tepër.
Ajo ka edhe një të dashur, por lidhja e tyre është mjaft e çrregullt.
Në fillim, flirtimi i saj më dukej qesharak, por tani më bezdis dhe më krijon ankth kur dalim si çifte. Madje një mike më tha së fundmi se ajo po e “tepronte” dhe se duhej ta kisha sytë hapur.
Ajo që më acaroi më shumë ndodhi para dy javësh në një barbekju në shtëpinë e saj. Ajo u ul mbi prehërin e bashkëshortit tim për një kohë të gjatë, duke biseduar e qeshur sikur ishte gjëja më normale në botë dhe sikur ai ishte partneri i saj! Edhe vetë bashkëshorti im filloi të ndihej në siklet.
Në atë moment ajo e kaloi çdo kufi dhe unë u ndjeva e turpëruar dhe e nënvlerësuar. Por çfarë duhet të bëj? Nuk dua të prishet miqësia jonë, por ajo nuk mund të vazhdojë të sillet kështu nëse duam të mbetemi mike.
Këshilla e Coleen:E kuptoj plotësisht sa e pakëndshme është kjo situatë, sidomos kur ndodh përpara të tjerëve. Mendoj se në fakt është edhe më turpëruese për të.
Bisedo me bashkëshortin tënd dhe shpjegoji si ndihesh; kërkoji të mos i përgjigjet flirtit të saj. Duket se edhe për të është bërë e sikletshme, por ndoshta nuk do të duket i pasjellshëm. Ai mund të gjejë mënyra të sjellshme për t’u larguar nga situata – të bisedojë me dikë tjetër, të ngrihet për një moment ose të shkojë në tualet nëse ajo tenton të ulet sërish në prehër.
Gjithashtu, pse të mos qëndrosh pak mënjanë nga daljet me çifte për një kohë dhe ta takosh më shumë vetëm kur jeni dy? Kjo mund të ulë tensionin dhe të vendosë kufij më të qartë.






