Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kujtuar 13 vjetorin e shpalljes së pafajësisë në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, e për çka tha se lufta për të vërtetën zgjati po aq sa lufta për liri dhe që po në të dyja betejat doli fitimtar.
Këtë fitore Haradinaj e konsideron jo vetëm të tijën por të të gjithë luftës çlirimtare, ku edhe publikoi një video nga momenti i shpalljes së vendimit.
“Sot shënoj një ditë që për mua ka gjithmonë një peshë të veçantë, përvjetorin e lirisë sime dhe vulosjen përfundimtare të së drejtës së luftës sonë çlirimtare. Më 17 nëntor 2004, edhe pse luftëtar i lirisë në tokën time, u ftova për herë të parë nga Gjykata e Hagës. Ajo ditë shënoi fillimin e një rrugëtimi të gjatë ligjor, i cili zgjati deri më 29 nëntor 2012. Edhe pse u shpalla i pafajshëm në gjykimin e parë, vite më pas u ftova në rigjykim, për ta vërtetuar edhe një herë të vërtetën tonë. Sot, 13 vite më pas, e kujtoj atë aktvendim të pafajësisë si një fitore jo vetëm për mua, por për të gjithë luftën tonë çlirimtare. Lufta ime për të vërtetën zgjati po aq sa lufta për liri, dhe në të dyja këto beteja dola fitimtar”, shkruan Haradinaj.
Haradinaj thekson se në secilin hap, vendim e veprim është kujdesur që Kosovës t’i sjell vetëm fitore dhe nder.
“Gjatë çdo hapi, në çdo vendim e në çdo veprim timin, jam kujdesur që Kosovës t’i sjell vetëm fitore dhe nder. Asnjëherë nuk kam lëvizur nga kjo detyrë, as në luftë e as në paqe. Falënderoj gjithë ata që nuk humbën besimin në mua dhe në pafajësinë time e mu gjenden pranë në të gjitha mënyrat!”, përfundon shkrimin Haradinaj.






