Kosova ka përkujtuar viktimat e gjenocidit në Srebrenicë, me mesazhe për ruajtjen e kujtesës historike, drejtësi për viktimat dhe kundërshtim të çdo përpjekjeje për mohimin ose relativizimin e krimeve të vitit 1995.
Dita Ndërkombëtare e Kujtimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, e shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, u shënua me një ceremoni në Kosovë të organizuar nga ish-nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Emilja Rexhepi.
Në fjalën e saj, Rexhepi tha se Srebrenica nuk duhet të shihet vetëm si një ngjarje tragjike e së kaluarës, por si një kujtesë për pasojat e urrejtjes dhe nacionalizmit ekstrem.
“Srebrenica është emri i turpit më të madh të Evropës pas Luftës së Dytë Botërore”, tha ajo, duke theksuar se gjenocidi ishte një krim i planifikuar dhe i organizuar, i cili është vërtetuar edhe nga gjykatat ndërkombëtare.
Ajo kritikoi mohimin e vazhdueshëm të gjenocidit, duke thënë se heshtja ndaj krimeve të tilla rrezikon që ato të përsëriten.
Në anën tjetër, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se Kosova qëndron pranë Bosnjë e Hercegovinës dhe familjeve të viktimave të Srebrenicës.
Sipas saj, drejtësia ndërkombëtare ka dënuar dhjetëra persona për krimet në Srebrenicë, por sfida mbetet që shoqëritë të përballen me të kaluarën dhe të distancohen nga glorifikimi i kriminelëve të luftës.
“Pa të vërtetën nuk mund të ketë as drejtësi, por as paqe”, tha Haxhiu, duke shtuar se paraqitja e kriminelëve të dënuar si heronj dëmton përpjekjet për pajtim dhe dërgon mesazhe të gabuara te brezat e rinj.
Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se mohimi i gjenocidit nuk prek vetëm kujtesën e viktimave, por krijon rrezik edhe për të ardhmen.
Sipas tij, përgjegjësia për Srebrenicën nuk mund të zëvendësohet me deklarata të përgjithshme për pajtim, pa pranuar më parë të vërtetën historike.
Kurti tha se gjenocidi në Srebrenicë ishte rezultat i një politike që përdori nacionalizmin, propagandën dhe institucionet për realizimin e spastrimit etnik.
Në ceremoninë përkujtimore mori pjesë edhe deputeti i Parlamentit të Bosnjë e Hercegovinës, Xhemal Smajiç.
Ai tha se përkujtimi i viktimave nuk ka të bëjë vetëm me të kaluarën, por edhe me ndërtimin e një shoqërie ku krime të tilla nuk përsëriten.
Sipas tij, Kosova dhe Bosnja e Hercegovina ndajnë përvoja të ngjashme nga luftërat e viteve ’90 dhe kanë interes të përbashkët në respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe vlerave demokratike.
Në këtë ngjarje, një fjalim rasti ka mbajtur edhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, i cili tha se në Serbi vazhdon të mungojë një përballje e plotë me gjenocidin në Srebrenicë.
Ai deklaroi se përpjekjet për të diskutuar dhe miratuar një rezolutë për dënimin e gjenocidit në Parlamentin e Serbisë janë penguar prej vitesh.
Sipas Kamberit, mohimi i gjenocidit dhe glorifikimi i kriminelëve të luftës mbeten pengesë për pajtimin dhe integrimin evropian të rajonit.








