Çapekoense ka siguruar ngjitjen në elitën e futbollit brazilian, duke përmbyllur me sukses një sezon dramatik dhe tepër emocional.
Tifozët pushtuan fushën pas fitores minimale 1-0 në shtëpi ndaj Atletiko Goianiense, rezultat që i dha ekipit vendin e tretë në Serinë B dhe biletën për në Serinë A.
Skenat e gëzimit ndodhën vetëm katër ditë përpara përvjetorit të nëntë të tragjedisë që tronditi botën e futbollit, kur avioni që transportonte skuadrën drejt finales së parë të Kupës së Amerikës së Jugut kundër Atletiko Nacional u rrëzua pranë Medellinit në vitin 2016. Në aksident humbën jetën 71 persona, mes tyre 19 futbollistë, 14 anëtarë të stafit teknik dhe 9 drejtues të klubit, ndërsa vetëm gjashtë persona mbijetuan.
Pas asaj tragjedie, kundërshtarët e tyre të asaj finale hoqën dorë dhe kërkuan që titulli t’i jepej Çapekoenses, një gjest që u kthye në simbol solidariteti në mbarë botën. Megjithatë, goditja e madhe la pasoja edhe në fushë, me rezultate të paqendrueshme dhe rënien nga Seria A në vitin 2019, për t’u rikthyer menjëherë si kampionë të Serisë B, përpara se të binin sërish dhe të mbijetonin me vështirësi në sezonet pasuese.
Këtë vit, nën drejtimin e trajnerit Gilmar Dal Poco, Çapekoense arriti të rindërtohet dhe ta mbajë ëndrrën gjallë deri në ditën e fundit. Humbjet e rivalëve Goias dhe Kriçiuma hapën rrugën, ndërsa goli i fitores erdhi nga pika e bardhë falë mbrojtësit Valter Klar.
Në vërshëllimën e fundit, tifozët u “derdhën” në fushë, duke përqafuar lojtarët, duke kërcyer dhe festuar në mesfushë një rikthim që simbolizon forcën, qëndresën dhe shpirtin e një klubi që nuk është dorëzuar kurrë. Çapekoense është sërish aty ku i takon.






