Më 28 dhjetor, qytetarët e Kosovës do t’u drejtohen sërish kutive të votimit për të zgjedhur përbërjen e re të Kuvendit dhe kryeministrin e vendit, në një proces zgjedhor që vjen pas dështimit të krijimit të Qeverisë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Tri subjektet kryesore politike – Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës – kanë vendosur të hyjnë në këtë garë me të njëjtët kandidatë për kryeministër.
Lëvizja Vetëvendosje ka rikonfirmuar sonte Albin Kurtin si kandidat për kryeministër, duke i dhënë atij sërish besimin për të udhëhequr garën zgjedhore.
Edhe Partia Demokratike e Kosovës do të hyjë në zgjedhje me Bedri Hamzën si kandidat për kryeministër, por ndryshe nga zgjedhjet e 9 shkurtit, kësaj radhe ai garon në petkun e kryetarit të partisë, pas ndryshimeve në strukturat drejtuese të PDK-së, të cilat më herët udhëhiqeshin nga Memli Krasniqi.
“Më 28 dhjetor, vota juaj do ta përcaktojë drejtimin e Kosovës. Një Kosovë ma e mirë është e mundur dhe e arritshme. Ma jepni besimin, që ta kthejmë normalitetin dhe stabilitetin në vendin tonë!”, tha Hamza kur e njoftoi nominimin e tij.
Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës ka vendosur të ruajë të njëjtin emër, duke kandiduar përsëri Lumir Abdixhikun për postin e kryeministrit, duke synuar të konsolidojë mbështetjen elektorale të fituar në zgjedhjet e fundit.
Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ende nuk e ka nominuar kandidatin e saj.
Ramush Haradinaj është pyetur nëse do të jetë sërish kandidat për kryeministër.
Ai në Klan u shpreh se ende nuk është e konfirmuar, por tha se nuk ka ndonjë zhvillim ndryshe, pra mbetet bartës i listës.
“E kemi diskutuar në Aleancë, në Kryesi, në Këshill të Përgjithshëm. Nuk kemi ndonjë zhvillim të ri, pra ndryshe nga kjo, ende nuk e kemi konfirmuar, por e kemi diskutuar, mbetem bartës i listës”, tha Haradinaj.






