Gazetari Jeton Sopa ka reaguar ashpër në rrjetet sociale ndaj një kontrate të lidhur mes Ndërmarrjes Publike Komunale Termokos dhe portalit Periskopi, të drejtuar nga Ilir Mirena. Sipas Sopës, Termokosi ka nënshkruar kontratë dyvjeçare për shërbime “marketingu”, e cila kap vlerën e rreth 20 mijë eurove, ndërkohë që ndërmarrja – sipas tij – nuk arrin të mbulojë as 30% të konsumatorëve në kryeqytet.
“800 euro në muaj po ia mbushin xhepin Ilir Mirenës për t’i bërë kinse marketing Termokosit,” shkruan Sopa, duke vlerësuar se një ndërmarrje komunale pa konkurrencë reale nuk ka asnjë arsye të shpenzojë mijëra euro për reklama.
Ai ka akuzuar ish-kryeshefin e Termokosit, Fisnik Osmani, ish-asamblist i LDK-së, si personin që ka nënshkruar kontratën, duke e cilësuar këtë veprim si keqpërdorim të fondeve publike.
Sipas Sopës, përfitues i drejtpërdrejtë i këtij shpenzimi është drejtori i Periskopit, Ilir Mirena, i cili – siç thotë ai – “ mbështet propagandën e partive që ndajnë fonde publike për portale të caktuara”.
“Nëse kështu e trajtojnë një ndërmarrje komunale, imagjinoni çfarë do të ndodhte po të kishin në dorë buxhetin e Qeverisë,” shkruan ndër të tjera gazetari, duke paralajmëruar se praktika të tilla mund ta çojnë Termokosin drejt falimentimit, pavarësisht se aktualisht funksionon me fitim.
Ky reagim ka hapur debat për mënyrën se si ndërmarrjet publike menaxhojnë paratë e qytetarëve dhe transparencën e kontratave të tyre me mediat.






