Kualifikimi për herë të parë në “play-off” të Botërorit nuk i ka mjaftuar Kombëtares shqiptare që të ngjitë shkallët në renditjen e FIFA-s.
Fitorja me Andorrën ka sjellë pikë minimale, të cilat janë neutralizuar nga humbja në shtëpi ndaj Anglisë. Kësisoj, kuqezinjtë kanë humbur 0,27 pikë në krahasim me renditjen e një muaji më parë dhe kanë rënë nga vendi i 61, në atë të 63.
Ndërkaq, bie në sy se Kosova ka vendosur një rekord të ri të saj pas fitores ndaj Sllovenisë dhe barazimit ndaj Zvicrës, që e shtynë drejt kualifikimit në “play-off” të Botërorit gjithashtu. Tashmë ajo është 4 vende më lart në klasifikimin e FIFA-s, duke u pozicionuar e 80.
Klasifikimi i muajit nëntor në FIFA është ai tek i cili do të bazohen shortet për “play-off” të Botërorit, por edhe për fazën finale të tij. Ashtu siç dihet, renditja e FIFA-s për zonën e Europës mban Shqipërinë në vazon e tretë në short që do të thotë se do të luajë jashtë fushe ndeshjen e parë gjysmëfinale në play-off.






