Besnik Berisha, avokati i aksionarit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, Valon Ademi, ka sqaruar akuzat të cilat rëndojnë mbi biznesmenin Behgjet Pacolli, ortakun e klientit të tij, rreth koncensionit të Aeroportit.
Pacolli, i cili zotëron shumicën e aksioneve në Aeroportin e Vlorës, po hetohet penalisht nga Prokuroria e Tiranës për mashtrim me pasoja të rënda. Ai, dyshohet për transferimin e aksioneve të Aeroportit të Vlorës te një kompani “offshore”.
Avokati Berisha tha se beson që hetimet penale ndaj Pacollit do të përfundojnë me aktakuzë kundër tij.
Berisha sqaroi se akuzat ndaj Pacollit përfshijnë rrezikimin e sigurisë nacionale të Shqipërisë dhe mashtrimin e aksionarëve.
Ai përmendi kontratën për huamarrje të nënshkruar mes “Mabco Constructions”, në pronësi të Pacollit dhe “Delphos Securities”, një fond investues prapa së cilit qëndron një kompani me emrin “Compartment Bernina”. Pronarët e vërtetë të kësaj kompanie nuk dihen. Ajo është e regjistruar në shtete që njihen si “parajsa fiskale” ku fshihet pronësia.
“Pak i rëndësishëm është rrëfimi i tij [Behgjet Pacollit] sepse në fund fare ne po kërkojmë drejtësi dhe po denoncojmë atë që është rrezik për sigurinë nacionale, asetin kombëtar dhe natyrisht për një trashëgimi të shtetit për të cilin ka investuar 2A Group dhe jo vetëm. Z. Pacolli është kallëzuar në Prokurori dhe besojmë fuqishëm që do të ketë jo vetëm hetim por edhe akuzë kundër tij për shkak të një mashtrimi i cili rezulton se është gatuar që në vitin 2020 dhe pastaj është jetësuar në fund përmes një kontrate të rrezikshme”, tha Berisha.
Kontrata mes “Mabco Constructions” dhe “Delphos”, të cilën e cilësoi “të rrezikshme”, avokati tha se në fakt përbën shitje të Aeroportit të Vlorës.
“Për ne, kjo kontratë është huamarrje dhe huadhënie në letër, por në fakt është transferim, bartje dhe shitje e një aseti”, theksoi avokati Berisha.
Berisha shpjegoi se me lidhjen e kësaj kontrate, Pacolli ka keqpërdorur 47% të aksioneve të koncensionit të Aeroportit, të cilat i përkasin kompanisë “2A Group” në pronësi të Valon Ademit.
“Z. Pacolli është kallëzuar penalisht jo për faktin pse ai është pronari në letër i 98% të aksioneve në fillim, por është kallëzuar penalisht për shkak të obstruksioneve dhe mashtrimeve në vazhdimësi, si dhe për shkak të mosnjohjes së të drejtës pa çka se publikisht është deklaruar se ‘kishim një akordancë’, siç ai e quante, por nuk e kishim vu në letër. Mohonte dijeninë e tij, akuzonte bashkëpunëtorët e tij të ngushtë – përfshirë edhe kumbarët e fëmijëve të tij”, tha Berisha.
Berisha tha se “momenti i mashtrimit” të Pacollit ka nisur me negociatat që Pacolli i ka realizuar pas shpinës së ortakut të tij në Aeroportin e Vlorës.
“Duhet të nënvizojmë si fakt që 2A Group ka 49% të aksioneve”, është shprehur Berisha, teksa ka shtuar se “2A Group” posedon një kontratë të noterizuar për transferim të 40% të aksioneve nga “Mabco Constructions”, të cilën Pacolli e ka mohuar ta ketë nënshkruar.
Siç raportoi Paparaci javën e shkuar, Behgjet Pacolli dyshohet se e ka mashtruar ortakun e tij, pronarin e “2A Group” Sh.p.k., Valon Ademin, duke mos ia njohur të drejtën në 47% të aksioneve pavarësisht se ekzistojnë dëshmi të transferimit të aksioneve nga “MabCo Constructions” S.A. tek “2A Group” Sh.p.k.
Duke ia mohuar 47%-shin e aksioneve kompanisë “2A Group” Sh.p.k., Pacolli ka nënshkruar në maj të këtij viti një marrëveshje për dorëzimin e aseteve të tij në Aeroportin e Vlorës te “Delphos Securities Sarl”, një kompanie guackë (offshore) me bazë në Luksemburg.









