Ish-Komandanti Suprem i NATO-s për Evropë, Wesley Clark, ka nisur dëshminë e tij në Gjykatën Speciale si dëshmitar i mbrojtjes për Hashim Thaçin.
Clark tha se dëshmia e tij nisi me pyetjet e ekipit mbrojtës dhe u fokusua te “Kërcënimi i Krishtlindjeve”, një paralajmërim që Presidenti i ShBA-së, George Bush i pari, i kishte bërë presidentit jugosllav, Sllobodan Millosheviq, për të ndalur dhunën ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Ai rikujtoi gjithashtu se bashkë me Richard Holbrooke ishin takuar me Millosheviqin gjatë negociatave të Dejtonit për të ndalur luftën në Bosnje-Hercegovinë dhe kishin provuar të flasin edhe për situatën në Kosovë.
“Kur nisëm negociatat në Dejton nuk e dija për kërcënimin, diplomatët ishin në dijeni, por publiku dhe ata në ushtri jo. Por për shkak të dhunës ndaj shqiptarëve, George Bush paralajmëroi Millosheviqin se ShBA do të përgjigjej ushtarakisht nëse dhuna nuk ndalej”, tha Clark.
Clark shtoi se Millosheviqi refuzonte të diskutonte për këtë dhe se ai e konsideronte Kosovën “si vendin e tij”, duke treguar sfidat që hasën gjatë negociatave.






