Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit që jetojnë në Kosovë, të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të parakohshme që mbahen të dielën, më 25 tetor.
Përmes një mesazhi, Shiroka-Pula ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes sa më masive në votim, duke u bërë thirrje shqiptarëve që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike për të kontribuar në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të tyre.
“Ju ftoj që nesër, më 25 tetor, të merrni pjesë sa më masivisht në zgjedhjet parlamentare të parakohshme. Shfrytëzojeni të drejtën tuaj demokratike të votës për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve”, thuhet në njoftim.
Ajo ka vënë në pah se uniteti politik është i rëndësishëm për të siguruar përfaqësim më të fuqishëm të shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë.
“Bashkimi është çelësi i përfaqësimit më të fuqishëm politik. Prandaj, bashkë në listë dhe bashkë në votim. Për më shumë deputetë shqiptarë në Parlamentin e Serbisë”.
Shiroka-Pula ka theksuar gjithashtu rëndësinë e çdo vote në përfaqësimin e interesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe në mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Ajo e ka përmbyllur mesazhin duke përsëritur thirrjen për unitet dhe angazhim të përbashkët politik.
“Të bashkuar në përfaqësim, më të fuqishëm në mbrojtjen e të drejtave tuaja”.








