Mbrojtësi Albian Hajdari i është bashkuar përfaqësueses së Kosovës në një moment të shkëlqyer, pas realizimit të një ëndrre të lidhur me karrierën e tij në futboll.
22-vjeçari të shtunën shënoi gol-in e parë në Bundesligë, duke ndihmuar Hoffenheimin të mposhtë RB Leipzig me rezultat 3:1. Për Hoffenheimin, kjo është fitorja e katërt rresht në Bundesligë. Ndërkohë, Leipzig pësoi humbjen e parë pas katër fitoreve rresht dhe e para që nga 22 gushti, kur ishte mposhtur 6:0 nga Bayerni. Tetë nga ato ndeshje Leipzig i kishte fituar.
Por seria e Leipzigut u ndërpre të shtunën nga Hajdari, së bashku me Leon Avdullahun, Fisnik Asllanin dhe lojtarët e tjerë të Hoffenheimit.
“Trajneri na ka përgatitur shumë mirë, jemi ndier mirë”, tha Hajdari pas ndeshjes. “Leipzigu kishte ecuri shumë të mirë, por ne kemi dashur ta përfundojmë atë dhe jemi të lumtur që e kemi arritur këtë. Ne jemi dhe do të vazhdojmë të jemi të uritur, ambiciozë dhe do të luftojmë deri në fund. Ne kemi vrapuar dhjetë kilometra më shumë se kundërshtarët tanë dhe kjo e bëri gjithë diferencën”, shtoi mbrojtësi i ri i Kosovës.
Hajdari iu bashkua Hoffenheimit këtë verë nga Lugano e Zvicrës dhe menjëherë u bë lojtar i rëndësishëm. Ai është pjesë kyçe edhe e përfaqësueses së Kosovës, ku gjithashtu ka marrë rol të rëndësishëm që nga fillimi.
“Jam i lumtur që ia dolëm të fitojmë pikët dhe tani mund të shijojmë ndeshjet ndërkombëtare”, tha Hajdari.
Kosova do të nisë të hënën grumbullimin për ndeshjet vendimtare të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Të shtunën është planifikuar ndeshja me Slloveninë në Lubjanë, ndërsa më 18 nëntor është përballja me Zvicrën në Prishtinë.
Treshja e Hoffenheimit – Hajdari, Avdullahu dhe Asllani – tashmë konsiderohet shumë e rëndësishme për selektorin e Kosovës, Franco Foda.
“Si djal i vogël, gjithnjë e kam shikuar Bundesligën dhe sot një ëndërr u bë realitet, duke shënuar golin e parë. Duhet të komplimentoj bashkëlojtarët. Ata më kanë përkrahur dhe nuk më kanë bërë shumë presion”, tha Hajdari.
Ai startoi ndeshjen së bashku me Avdullahun, ndërsa Fisnik Asllani u aktivizua në minutën e 67-të dhe asistoi në golin e tretë të Hoffenheimit.






