Osman Musliu, hoxha nga Drenasi, nuk e ka përjashtuar mundësinë e vetëgjyqësisë në rast se padrejtësitë vazhdojnë drejt familjes së tij në rastin e një punësimi.
Musliu, i cili përmes një postimi mbrëmë ka shprehur pakënaqësitë e tij me mënyrën se si ka rrjedhur një konkurs në Ministrinë e Mbrojtjes, ku kandidate ishte edhe vajza e tij, ka kërcënuar sot hapur sistemin gjyqësor dhe prokurorial.
Musliu deklaroi se nuk i përjashton mundësitë për të marrë vetëgjyqësinë në dorë.
Ai mori si shembull rastin në Tiranë ku u qëllua për vdekje gjyqtari i Gjykatës së Apelit.
“Mendjen me luftu nuk e kam, mirëpo nuk përjashtoj asgjë. Kur e vranë gjyqtarin në Tiranë shumë media raportuar se si ndodhi një gjë e tillë, mirëpo unë e di se është me vetëgjyqësi por kur bllokohet njeriu – bllokohet. E di që nuk është vepër e mirë”, deklaroi hoxha nga Drenasi.
Musliu tregoi edhe disa raste ku ishte përballur me probleme tjera si pasojë e një vendimi jo të drejtë të një gjyqtari në Drenas.
“Prej një padie civile i kam pasur edhe 3 ose 4 raste tjera. Krejt kjo për shkak të gjyqtarit, nëse ai e kishte kryer punën si duhet unë s’kisha pasur probleme me atë punë. Në gjykatë e kam pranuar pastaj fajësinë, kur e boj e boj”, vazhdoi rrëfimin e tij Musliu.
Ai ka pretenduar se në Ministrinë e Mbrojtjes, vajzës së tij i është bërë e padrejtë.
Për krejt këto padrejtësi ai ka fajësuar individët në këtë dikaster, duke shfajësuar qeverinë dhe ministrinë Maqedonci.
Hoxha nga Drenasi ka thënë se do të bëhet “kurban” për ata që iu kanë bërë padrejtësi.
“Unë i kam shkollu fëmijët për mos me u bë servil të të tjerëve, po du të bëhem kurban i këtyre që iu bëhen padrejtësi. Nuk do të ndalem”, ka thënë Musliu.
Ai ka bërë të ditur se ka ushtruar edhe padi e kallëzim penal, por që asnjëri prej tyre nuk është marrë parasysh.
Në fund, Musliu paralajmëroi kallëzim penal edhe ndaj një prokurori të Prokurorisë Themelore dhe të Prokurorisë së Apelit, për shkak se sipas tij ata nuk e kanë kryer punën si duhet.









