Reagimi i Termokosit ndaj artikullit me titull: Kriza financiare godet Termokosin – Punëtorët pa paga, menaxhmenti shpërndan mijëra euro për marketing!

GazetaKosova.net, pavarësisht se çdo shkrim i publikuar në portalin tonë është bazuar në fakte dhe se kemi pritur me ditë për përgjigje zyrtare, nuk kemi marrë asnjë reagim nga kompania “Termokos”. Sot, kjo kompani ka vendosur të reagojë ndaj nesh. Theksojmë se në secilin shkrim që kemi botuar, kemi dërguar pyetje zyrtare përmes emailit dhe kemi pritur përgjigje nga ana e tyre, ndërkohë që kemi publikuar vetëm fakte të verifikuara.

Reagimi i plotë i Termokosit:

Reagim ndaj dezinformatave të publikuara në portalin GazetaKosova.net

28.10.2025, Prishtinë

Më datë 27.10.2025, në ueb faqen zyrtare dhe në profilin në facebook të portalit GazetaKosova.net, është publikuar artikulli me titull: Kriza financiare godet Termokosin- Punëtorët pa paga, menaxhmenti shpërndan mijëra euro për marketing!”.

Ky artikull është një dezinformatë e kulluar, nuk ka të bëjë asgjë me të vërtetën dhe bie ndesh me parimet bazë të gazetarisë profesionale, përkatësisht përbën shkelje të rëndë të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës.

Pretendimi i artikullit se punëtorët e NP “Termokos” janë pa paga është plotësisht i pavërtetë. Punëtorët kanë marrë pagat e muajit shtator me kohë, ndërsa pagat për muajin tetor, si zakonisht, janë në proces të ekzekutimit. Pra, nuk ka asnjë vonesë në pagesën e stafit. 

Titulli dhe përmbajtja e artikullit nuk mbështeten në asnjë fakt, dokument apo burim zyrtar, gjë që e bën këtë publikim tendencioz dhe keqinformues. Artikulli është shkruar me qëllim të qartë për të dëmtuar reputacionin e ndërmarrjes dhe për të krijuar perceptim negativ në opinion.

Konstatime të tilla të pabaza, pa kurrfar saktësie, me të vetmin pretendim për të ndërlidhur gjithçka e gjithkënd me çështjen e kontratave për shërbime marketingu të ndërmarrjes me disa media, janë përpjekje meskine të autorit të tekstit, tendencë për të përhapur dezinformata për ndërmarrjen.

Para së gjithash, ky artikull pëbën shkelje të rëndë të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, përkatësisht paragrafit 1 dhe 4,  të dispozitës II. Raportimi i së vërtetës, pasi që autori nuk ka pritur përgjigjjet zyrtare të ndërmarrjes, që i kishte dërguar pak ditë më parë, me një subjekt shumë të çuditshëm(!), të gjeneruar nga komunikime të mëhershme, kur pronari i këtij mediumi i përgjërohej ndërmarrjes për bashkëpunim.

Ky artikulli, që është vetëm njëri nga të fundit artikuj e postime, që autori ka publikuar kundër ndërmarrjes dhe zyrtarëve të saj, ka shkelur edhe paragrafin 5, të dispozitës II. Raportimi i së vërtetës të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili ndalon shpifjen dhe publikimin e peretendimeve të pabazuara.

I kësaj natyre dhe me shkelje etike, të po të njëjtave paragrafe dhe dispozita të Kodit të Mediave të shkruara të Kosovës, ka qenë edhe artikulli me titull: “Skandal: Prishtina pa ngrohje, Termokos jep mijëra euro në muaj për portalet dhe televizionet kosovare”, i publikuar më 26.09.2025. Ndonëse, koha e publikimit të këtij artikulli, ka qenë gati një muaj para afatit ligjor, që NP “Termokos” ka për obligim për të nisur sezonin e zakonshëm me ngrohje, GazetaKosova.net ngritë pretendime të tilla me qëllim të dëmtimit të reputacionit të ndërmarrjes dhe menaxhmentit aktual të saj.

Këto janë vetëm disa nga shkeljet, që pronari/autori i mediumit, përkatësisht shkrimeve që ka publikuar në vazhdimësi, ka shkelur edhe paragrafin 7, të dispozitës II. Raportimi i së vërtetës, duke bërë në vazhdimësi palgjiaturë të publikimeve nga mediat tjera, pa e cituar burimin e informacionit, duke i shfrytëzuar ato me qëllim për të sulmuar ndërmarrjen dhe zyrtarët e saj.

Nisur nga shkeljet e evidentuara të Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës dhe bazuar në dispozitën IV. E drejta për t’u përgjigjur, paragrafët 1 dhe 2 të tij, kërkojmë urgjentisht nga ju, që të publikoni këtë reagim pa asnjë ndryshim, në të njëjtin vend dhe me të njëjtën dukshmëri si artikulli origjinal, si dhe të kërkoni falje publike për dezinformimin dhe dëmin e shkaktuar ndërmarrjes dhe zyrtarëve të saj. 

Për shkak të sulmeve të përsëritura dhe përpjekjeve për denigrim publik, NP “Termokos” do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm ligjor dhe institucional për të mbrojtur integritetin e vet dhe për të kërkuar përgjegjësi profesionale dhe juridike ndaj autorëve të publikimit.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit