Sipas burimeve të GazetaKosova.net, ndërmarrja publike Termokos po përballet me probleme serioze financiare, si pasojë e rritjes së numrit të të punësuarve dhe shpenzimeve të panevojshme në reklama.
Burimet tona bëjnë të ditur se gjatë këtij viti, Termokos ka shtuar ndjeshëm numrin e punonjësve, gjë që ka rënduar ndjeshëm buxhetin e ndërmarrjes. Si pasojë, punëtorët ekzistues po përballen me vështirësi, ndërsa brenda kompanisë raportohet për vonesa dhe pasiguri financiare.
Përveç kësaj, sipas të njëjtave burime, Termokos po shpenzon mijëra euro çdo muaj për reklama në portale dhe televizione lokale, ku disa prej tyre paguhen 800 euro në muaj. Këto shpenzime kanë ngjallur reagime të brendshme, pasi vlerësohen si të pajustifikuara për një ndërmarrje publike që përballet me probleme financiare.
GazetaKosova.net ka dërguar pyetje zyrtare në adresë të Termokosit për të sqaruar situatën financiare dhe arsyet e këtyre shpenzimeve, por edhe pas një jave, ndërmarrja ka zgjedhur të heshtë.
Në kërkesën zyrtare, është kërkuar të dihet:
- Si është gjendja aktuale financiare e Termokosit?
- A ka ndërmarrja probleme me pagesën e pagave apo me rritjen e shpenzimeve?
- Sa është numri i përgjithshëm i të punësuarve aktualisht në Termokos?
- Sa persona janë punësuar gjatë vitit 2025?
Mungesa e transparencës nga Termokos vetëm sa e shton dyshimin për menaxhim joefikas dhe për keqpërdorim të mjeteve publike, ndërsa qytetarët e Prishtinës që furnizohen me ngrohje nga kjo kompani, mbeten të shqetësuar për stabilitetin financiar të saj.
GazetaKosova.net mbetet në pritje të përgjigjeve nga kjo ndërmarrje publike, për të informuar opinionin publik lidhur me gjendjen reale financiare dhe praktikat e punësimit në Termokos.









