Albin Kurti e ka shteruar të dielën mandatin si mandatar për formimin e qeverisë.
Qeveria e propozuar të dielën nga kryetari i Vetëvendosjes u rrëzua në seancën e jashtëzakonshme për formimin e qeverisë së re.
Kabineti qeveritar i propozuar nga Kurti të dielën, pa marrëveshje me asnjë nga subjektet e tjera politike parlamentare, dështoi të votohej nga shumica e nevojshme prej 61 votash. Qeveria e propozuar nga Kurti mori 56 vota – 48 të deputetëve të Vetëvendosjes dhe tetë të tjera nga minoritetet.
Pas dështimit të mandatarit të parë për kryeministër, Kushtetuta e Kosovës përcakton zhvillimet drejt procesit të formimit të qeverisë.
Kushtetuta e Kosovës përcakton që nëse përbërja e propozuar e Qeverisë së re nuk e merr shumicën e nevojshme të deputetëve, presidenti i Kosovës duhet të emërojë një mandatar të dytë për kryeministër.
I mandatuari i dytë, i cili i ka gjasat më të mira për të formuar qeverinë, përcaktohet nga presidentja e vendit brenda dhjetë ditësh.
Afati përfundon më 7 nëntor. Deri në shterimin e këtij afati, presidentja do të duhet të konsultohet me subjektet politike parlamentare të ish-opozitës për të përcaktuar mandatarin e ri.
I mandatuari i ri për kryeministër sërish do t’i kishte 15 ditë për t’i propozuar Kuvendit përbërjen e Qeverisë dhe programin e punës.
Bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nga viti 2020, mandatari i dytë për kryeministër mund të jetë edhe nga partia e dytë më e madhe – në këtë rast Partia Demokratike e Kosovës.
Presidenti shpall zgjedhje të reja nëse Qeveria nuk zgjidhet për herë të dytë, dhe ato duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e thirrjes.
Deri atëherë, Qeveria në detyrë do t’i kryente detyrat e saj.









