Një aksident trafiku i regjistruar më shumë se një muaj më parë në Fushë Kosovë ka marrë epilog tragjik. Gruaja që ishte goditur nga një furgon nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Sinjali mëson ekskluzivisht se viktima është Kadrije Sylejmani (72 vjeç), e cila ndërroi jetë më 13 korrik, pas përkeqësimit të gjendjes së saj shëndetësore.
Sipas burimeve të Sinjalit, aksidenti kishte ndodhur më 5 qershor, rreth orës 14:40, në rrugën “Nënë Tereza” në Fushë Kosovë, pranë lokalit “LIDA Group”, ku 72-vjeçarja ishte goditur nga një Volkswagen Transporter, që drejtohej nga Valdet Lahu (26 vjeç).
Pas aksidentit, ajo ishte dërguar në Emergjencën e QKUK-së, ku kishte marrë trajtim mjekësor dhe ishte liruar po atë ditë për të vazhduar mjekimin në shtëpi.
Megjithatë, më 13 korrik, gjendja e saj u përkeqësua dhe ajo u transportua sërish me autoambulancë në QKUK. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, rreth orës 16:00 u konstatua vdekja e saj.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se, me urdhër të Prokurores së Shtetit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion, ndërsa rasti, që fillimisht ishte regjistruar si aksident komunikacioni me lëndime të rënda, tashmë është rikualifikuar si aksident komunikacioni me fatalitet.
Njësia e Hetimeve të Trafikut po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe përgjegjësisë penale në këtë rast.








