Kryeministri në detyrë Albin Kurti mori pjesë në pritjen mbretërore të organizuar nga Madhëria e Tij, Mbreti i Mbretërisë së Bashkuar Charles III, me rastin e Samitit të Procesit të Berlinit që zhvillohet në Londër.
Në këtë pritje të veçantë në pallatin “St James’s Palace”, përveç kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, morën pjesë edhe kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë kësaj mbrëmjeje solemne, Kurti pati mundësinë të bisedojë me Mbretin Charles III, kryeministrin Starmer, si dhe liderë tjerë të pranishëm, duke theksuar marrëdhëniet e ngushta dhe miqësinë e veçantë që lidh Kosovën me Mbretërinë e Bashkuar.
Mbretëria e Bashkuar do të mirëpresë sot samitin me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Samitet e fundit të liderëve janë mbajtur në Berlin (2024 dhe 2022) dhe në Tiranë (2023).
Kujtojmë, Procesi i Berlinit është një iniciativë që synon rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe ndihmon integrimin e këtyre shteteve në Bashkimin Evropian. Ajo u lansua në gusht 2014, nga kancelarja gjermane Angela Merkel.
Procesi i Berlinit zhvillohet me mbështetjen e Komisionit Evropian, institucioneve financiare ndërkombëtare dhe shteteve anëtare të përfshira në këtë proces – Austria, Kroacia, Franca, Gjermania, Italia, Sllovenia dhe Mbretëria e Bashkuar. Kjo iniciativë plotëson procesin institucional të integrimit në BE të vendeve individuale, bazuar në miratimin e acquis communautaire.
Krahas takimeve të zyrtarëve më të lartë qeveritarë, seria e Samiteve të Ballkanit Perëndimor, Procesi i Berlinit përfshin takimet e përfaqësuesve të organizatave rajonale të shoqërisë civile, organizatat rinore dhe shoqatat e biznesit.
Procesi i Berlinit filloi me Konferencën e Berlinit më 2014, e cila u pasua nga Samiti i Vjenës 2015, Samiti i Parisit 2016, Samiti i Triestes 2017, Samiti i Londrës 2018, Samiti i Poznanit 2019 dhe Samiti i Sofjes 2020. Nisma përfshin gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor që janë kandidatë për anëtarësim në BE, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe kandidatët potencialë Kosova, Bosnja dhe Hercegovina.









