Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara është mbledhur të hënën për të diskutuar zhvillimet e fundit në Kosovë. Seanca u karakterizua nga përballje e drejtpërdrejtë ndërmjet ministres në detyrë të Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz dhe homologut të saj serb, Marko Gjuriç.
Në fokus ishte raporti i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, si dhe çështja e sulmit në Banjskë dhe tensionet në veri të Kosovës.
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz e cila ka përfaqësuar Kosovën në këtë takim, e ka filluar fjalimin e saj duke folur për zhvillim ekonomik në Kosovë.
Ajo ka thënë se Kosova është “ekonomi e fortë” dhe se Banka Botërore ka qenë ajo që e ka ranguar Kosovën si “top lidere në botë” për rritje ekonomike.
“Fuqia jonë derivon nga populli jonë, nga demokracia jonë perëndimore, dhe nga ekonomia jonë e fortë. Për të 5-tën herë radhazi, Banka Botërore e ka ranguar Kosovën si top-lidere në ekonomi në rritje në Evropë, derisa vendet e tjera po kanë probleme. Projeksioni për rritjen tonë është përsëri rreth 4%. Investimet direkte të huaja po rriten, e bashkë me to edhe fitimet. Kosova është e para në Evropë dhe 3të në bota në Indeksin për Sundim të Ligjit”, tha ajo.
Përveç saj, ministrja Gërvalla ka folur edhe për fqinjin e Kosovës, Serbinë, për presidentin e të cilës ka thënë se po e përgatit popullin serb për sulm ndaj Kosovës përmes propagandës.
“E përcjellim propagandën e Vuçiqit dhe urrejtjen që shpërndahet, e cila helmon popullatën serbe. Në Serbi mund të shihni grafite ku shkruhet: ‘Kur ushtria të kthehet në Kosovë’, jo ‘nëse’. Ata nuk i fshehin qëllimet e tyre,” theksoi ajo.









