Ramiz Lladrovci, kryetar i rizgjedhur i Drenasit, i është kundërpërgjigjur Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqit, i cili kishte komentuar fitoren e tij si rezultat të gjysmës së votave të PDK-së dhe “transferit të votave të VV-së” në Drenas.
Lladrovci tha se nuk e ka dëgjuar deklaratën e Krasniqit, por se ia bën me dije se gjatë mandatit të kaluar katërvjeçar si kryetar komune, “e ka ulë Vetëvendosjen”.
“Nuk e di çka ka thanë Memli Krasniqi, se më thanë që paska mbajt konferencë. Por ia bëjë me dije, që katër vjet unë e kam ulë Vetëvendosjen në Drenas, sepse njerëzit e VV-së që kanë besuar ndryshe nga qeverisja e Memli Krasniqit në qeverisjen time më janë bashkuar prej kohësh,” tha Lladrovci.
Ai shtoi se është dhe mbetet anëtar i devotshëm dhe i disiplinuar i Partisë Demokratike. “Unë jam kanë i padisiplinuar ndaj atyre që unë ua kam dhënë besimin dhe ata e kanë keqpërdorë besimin e PDK-së. Dhe ka të tillë që thonë ‘hajde bab t’i kallxoj arat dhe mexhat’,” përfundoi ai.










