Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se sot po vazhdon dita e tretë e aktiviteteve në kuadër të procesit të numërimit dhe verifikimit të rezultateve pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, në 38 Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) po zhvillohen njëkohësisht tri procese: numërimi i votave të kandidatëve për kuvendet komunale, verifikimi i rezultateve për kryetarë komunash dhe për subjektet politike.
“Deri në orën 16:00 të ditës së sotme janë verifikuar rezultatet për 1,133 vendvotime nga zgjedhjet për kryetarë komunash dhe për 1,084 vendvotime nga zgjedhjet për kuvendet komunale. Nga po aq vendvotime janë numëruar edhe votat e kandidatëve për kuvendet komunale”, tha Elezi.
Ai bëri të ditur se aktivitetet në QKN janë përmbyllur në nëntë komuna: Hani i Elezit, Junik, Mamushë, Zveçan, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime dhe Klinë, ndërsa pritet që gjatë ditës t’i shtohen edhe disa komuna të tjera.
Rezultatet për çdo vendvotim, përfshirë ato për kryetarë komunash, subjektet politike dhe kandidatët për kuvendet komunale, po publikohen në platformën zyrtare të KQZ-së: https://resultslocal2025.kqz-ks.org









