Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në Prizren ka konfiskuar një veturë të tipit BMW XM me targa zvicerane, meqë shoferi po e voziste pa leje.
Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se shoferi ka qenë nën masën e ndalesës për drejtimin e veturës. Për pasojë, personit në fjalë iu është shqiptuar një gjobë prej 500 eurosh, masë ndalese shtesë prej gjashtë muaj dhe iu është konfiskuar vetura.
“Më datë 15.10.2025, rreth orës 12:31, patrulla e Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor (NJRTRR) në Prizren, përmes radarit mobil, ka identifikuar kundërvajtjen e shkaktuar nga drejtuesi i veturës BMW XM me targa zvicerane, i cili ka qarkulluar me 77 km/h në zonën me kufizim prej 50 km/h.
Pas verifikimit të dokumentacionit, është konstatuar se drejtuesi ka qenë nën masën e ndalesës për drejtimin e mjetit motorik. Si pasojë, patrulla ka konfiskuar automjetin në bazë të nenit 246, paragrafi 5 dhe l të Ligjit për Trafikun Rrugor, si dhe i është shqiptuar gjobë prej 500 euro dhe masë ndalese shtesë prej 6 muajsh”, thuhet në njoftimin e PK’së.
“Duke qenë se kundërvajtësi është me nënshtëtësi zvicerane, do të zbatohen procedurat për njoftimin e autoriteteve zvicerane lidhur me ndalesën për drejtimin e mjetit motorik”.
Policia në Prizren ka bërë të ditur se në sistemin SIPK, rezulton se personi në fjalë ka të evidentuara 114 gjoba, prej të cilave 18 vetëm në dy vitet e fundit, ku 3 prej tyre lidhen me drejtim të mjetit motorik nën masën e ndalesës.








