Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, i ka reaguar kandidatit për kryetar të Mitrovicës, Faton Peci, i cili ushtroi padi penale ndaj gazetarëve, analistëve dhe drejtorit të UBO-s, pas rezultatit në Mitrovicë.
Kadriu në reagimin e tij thotë se kjo “padi” nuk ka asnjë vlerë juridike konkrete.
“I dashur Faton, Si manovër politike, veprimi yt është interesant dhe mund të ketë potencial për të mobilizuar bazën tënde votuese. Por, në aspekt juridik, kjo nismë nuk ka asnjë vlerë konkrete.
Në sistemin tonë nuk ekziston koncepti i “padisë penale.” Personat fizikë apo juridikë nuk kanë as kompetencë, as të drejtë ligjore për të ngritur padi penale. E vetmja palë e autorizuar për ta bërë këtë është Prokuroria e Shtetit”, thotë ai.
Tutje, Kryeziu i sqaron Pecit se nuk ka përfitim real nga kjo lëvizje dhe se fitoret në zgjedhje nuk përcaktohen as nga exit pollet, as nga paditë.
“Ti mund të bësh një kallëzim penal, pra të njoftosh Prokurorinë për një dyshim të caktuar, por kjo nuk do të thotë se kallëzimi merret automatikisht në shqyrtim apo se prodhon efekt juridik. Në një plan më të gjerë, nuk ka as përfitim politik real nga kjo lëvizje. Fitoret në zgjedhje nuk përcaktohen as nga exit pollet, as nga paditë. Ato fitohen me punë — lagje më lagje, derë më derë — sepse aty jepet verdikti real dhe final”, shkruan ai.









