Numri i martesave në gusht është rritur për 59.5 për qind krahasuar me një muaj më parë. Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë këtij muaji janë bërë gjithsej 1,972 kurorëzime brenda dhe jashtë Kosovës, ndërsa në korrik ishin regjistruar 1,236 martesa.
Në anën tjetër, numri i divorceve ka shënuar rënie prej 45.2 për qind. Në gusht janë regjistruar 97 raste të divorceve, krahasuar me 177 raste sa ishin në korrik.
Po ashtu, gjatë gushtit janë regjistruar 2,516 lindje, që paraqet një rënie prej 6.4 për qind në krahasim me korrikun. Ndërkohë, janë regjistruar 914 raste të vdekjeve, një rritje prej 4.3 për qind krahasuar me muajin paraprak.
Të dhënat janë publikuar duke u bazuar në informacionet e Agjencisë së Regjistrit Civil të Kosovës.






