Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili arriti të fitojë edhe një mandat nën logon “Për Drenasin Kampion”, ka njoftuar se pasditen e sotme, rreth orës 18:30, bashkë me kandidatët për Kuvend dhe anëtarët e Shtabit zgjedhor, do të bëjnë hapjen e zyrës ku dikur ishte selia e degës së PDK-së në këtë komunë.
Ai fton të gjithë anëtarët e Shtabit zgjedhor “Për Drenasin Kampion” të vazhdojnë angazhimin dhe të japin kontribut me të gjitha mundësitë për fitore në degët e PDK-së që janë në balotazh.
“Me kandidatët dhe kandidatët për Kuvend, së bashku me anëtarët e Shtabit zgjedhor, do të takohemi në zyrat ku ishim vendosur përkohësisht dhe së bashku, rreth orës 18:30, do ta hapim simbolikisht zyrën ku ishte selia e Degës së PDK-së në Drenas, zyrë e cila me vite ka qenë burim i fitoreve. Ftoj të gjithë anëtarët e Shtabit zgjedhor ‘Për Drenasin Kampion’ të cilët me përkushtim të jashtëzakonshëm e sollën fitoren meritore, të vazhdojnë angazhimin dhe japin kontribut me të gjitha mundësitë për fitore në degët e PDK-së që janë në balotazh”, shkruan ai në Facebook.
Sipas tij, “ky koktej nuk është përjashtim për ata që mendojnë ndryshe, as demonstrim i arrogancës së fitores, thjeshtë është kthim te ambientet nga të cilat kishte dhe do të ketë vetëm fitore, me qytetarin e komunës së Drenasit në qendër dhe vizionin e heronjve tanë të luftës dhe paqes”.
Për më tepër, kryetari fitues i Drenasit falënderoi qytetarët që kontribuuan që zgjedhjet në këtë komunë të zhvillohen në mënyrë, siç thotë ai, shembullore.
“Me qytetarët kampionë të zemrës së Kosovës. Fitorja e qytetarëve të Drenasit, është fitore e madhe! Faleminderit”, shkruan më tej Lladrovci.









