Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhërarrest ndaj të akuzuarit Bozhidar Dejanoviq, ish-kryetarin e Kllokotit, pasi ky i fundit nuk është paraqitur në shqyrtimin gjyqësor të paraparë për sot.
Në arsyetimin e urdhërarrestit thuhet se gjykata ka tentuar disa herë ta njoftojë të akuzuarin për seancën e sotme, por ftesa nuk ka arritur të dorëzohet pasi ai nuk është gjetur në adresën e dhënë. Meqë Dejanovic nuk e ka njoftuar gjykatën për ndërrimin e vendbanimit, mungesa e tij është konsideruar e paarsyeshme.
“Duke qenë se ai ka qenë i njoftuar me detyrimin për ta njoftuar Gjykatën në rast të ndrrimti të adresës së vendbanimit, e që i pandehuri nuk e ka njoftuar për këtë e po ashtu nuk është gjetur në adresën e dhënë në seancën fillestare, për gjykatën mungesa është e pa arsyetuar”, thuhet ndër të tjera në urdhëresën e gjykatës.
Në bazë të vendimit, Stacioni Policor në Kllokot është urdhëruar që ta shoqërojë me forcë të akuzuarin në ambientet e gjykatës.
Në zgjedhjet lokalet të 12 tetorit 2025, Bozhidar Dejanoviq garoi sërish për kryetar të Kllokotit si kandidat i Listës Serbe.
Mjeku Bekim Ademi ngarkohet se kishte falsifikuar një dokument (fletëlëshim) në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), që Dejanoviq ta përdorë si arsyetim për mungesën në një seancë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Bashkë me mjekun, Dejanoviq akuzohen për falsifikim të dokumentit zyrtar dhe legalzim të përmbajtjes së rreme.
Sipas aktakuzës thuhet se Ademi dhe Dejanoviq dakordohen në telefon, ku më 28 gusht 2021, Ademi në cilësinë e kujdestarit në Klinikë e pranon në Spital Dejanoviqin kinse për kontroll mjekësor, duke e vendosur në regjim shtrati, por se në të njëjtën ditë i pandehuri Dejanoviq pasi që të regjistrohet në repart largohet nga Spitali, kurse Ademi përpilon dokumentin zyrtar- fletëlëshimin dhe në të vendos të dhëna të pasakta kinse Dejanoviq ka qëndruar në regjim shtrati në spital nga 28 deri më 30 gusht 2021.
Këtë fletëlëshim, Ademi thuhet se ia jep të akuzuarit Dejanoviq, e më pastaj ky i fundit ia dorëzon avokatit dhe krejt në fund avokati e dorëzon në gjykatë, duke kërkuar shtyrje të seancës. Propozimi i avokatit ishte aprovuar, duke u shtyrë seanca për datë tjetër.









