Një natë para zgjedhjeve lokale, kryeministri në detyrë Albin Kurti me vartësin e tij Faton Pecin dhe deputetin Armend Muja, qëndruan deri pas mesnate në një lokal të ndërtuar brenda një pompe karburanti në Zhabar të Mitrovicës. Kjo pompë i përket kompanisë “FINN OIL”, e cila vetëm pak muaj më herët dyshohet se mori pjesë në ndërtimin e një objekti policor në veri të vendit, projekt për të cilin nuk ekziston asnjë kontratë e publikuar në sistemin e prokurimit publik.
Hetimi tregon se bëhet fjalë për ndërtimin e nënstacionit policor në fshatin Izvor të Zveçanit, një projekt që u përurua nga vetë Kurti dhe që u paraqit si investim shtetëror prej 753 mijë eurosh. Por, kontrata për këtë objekt mungon plotësisht në E-prokurim, duke ngritur dyshime serioze për një marrëveshje të mbyllur “top sekret” dhe për favorizim të një biznesi të afërt me pushtetin, në të cilin zyrtarët e lartë të Vetëvendosjes ishin mysafirë vetëm disa orë para zgjedhjeve.
Një natë para zgjedhjeve lokale, kryeministri Albin Kurti së bashku me kandidatin e tij për kryetar të Mitrovicës, Faton Pecin, si dhe me deputetin Armend Muja, qëndruan për disa orë në Shipol e Zhabar të Mitrovicës së Jugut, ku dyshohet se u bënë dallaveret më të mëdha me shitblerje votash dhe votim sipas metodës manipulative së ashtuquajtur “treni bullgar”.
Bazuar në fotografitë ata janë parë duke qëndruar pas mesnatës, rreth orës 01:00, në restorantin e pompës së derivateve “FINN OIL PETROL SH.P.K”.


Sipas të dhënave të Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve (ARBK), pronarë të kësaj kompanie janë Burim Dibrani dhe Kujtim Seferi, ky i fundit edhe drejtor-menaxher, i njohur ndryshe si Kujtim Zhabari. Kompania është regjistruar më 4 shtator 2023.


Vetë Lëvizja Vetëvendosje e kishte promovuar publikisht këtë biznes si shembull të “investimeve të mërgimtarëve”, duke shpërndarë në rrjetet sociale një video nga vizita në pikën e karburanteve “Finn Oil”. Në përshkrimin e videos thuhej:
“Mërgimtari Burim Dibrani është kthyer në Kosovë për të investuar në atdhe. Përveç ndërtimtarisë, ai ka hapur edhe pikën e karburantit ‘FINN Oil’ në Zhabar të Mitrovicës. Në këto biznese janë të punësuar mbi 100 punëtorë. Duke parë sovranitetin e shtrirë dhe sigurinë e krijuar nga qeverisja jonë edhe në veri të Mitrovicës, Burimi po planifikon të investojë edhe në atë pjesë të vendit”.


Në qershor 2025, Zyra e Kryeministrit publikoi njoftimin për përfundimin e objektit “Ndërtimi i nënstacionit policor në fshatin Izvor, Komuna e Zveçanit”.
Sipas komunikatës zyrtare, projekti kishte vlerën prej 753 mijë euro dhe sipërfaqe 3,980 m², ku do të shërbente Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit, përgjegjëse për sigurinë kufitare dhe parandalimin e aktiviteteve ilegale.
Në komunikatë citohej kryeministri Kurti të ketë thënë se “Zyrtarët policorë tani do të kenë kushte të dinjitetshme pune, ndërsa performanca e tyre do të jetë e lartë në parandalimin e kontrabandës dhe veprimtarive ilegale”.
Por, kërkimi në platformën E-prokurim tregon se nuk ekziston asnjë procedurë e hapur apo e negociuar që lidhet me ndërtimin e këtij nënstacioni në Izvor.
Në sistem figuron vetëm një procedurë për ndërtimin e stacionit policor në Zubin Potok, por jo në Izvor.
Për këtë arsye, media ka kërkuar sqarime nga Policia e Kosovës, e cila deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.
Burime nga terreni dhe dokumente të siguruara tregojnë se në ndërtimin e këtij objekti mund të jenë përfshirë pronarët e kompanisë “FINN OIL”, në të cilën Kurti dhe Peci qëndruan për orë të tëra në prag të zgjedhjeve.
Madje, njëri nga pronarët, Kujtim Seferi (Zhabari) dhe vëllai i tij, shihen të pranishëm si në vendosjen e gurthemelit të objektit, ashtu edhe në përurimin e tij, përkrah kryeministrit Kurti.




Ortaku i Kujtimit, Burim Dibrani, i cili ishte i pranishëm në ndejën e mesnatës me Kurtin dhe Pecin është pronar edhe i kompanisë “Finn Project” Sh.P.K., të regjistruar në ARBK në vitin 2020, e cila merret me ndërtimin e banesave, kryesisht në Vushtrri.
Këto fakte ngrejnë dyshime se biznesi i afërt me Vetëvendosjen mund të jetë favorizuar për ndërtimin e objektit me një kontratë të mbyllur, e cila nuk është publikuar dhe trajtohet si “top sekret”.
Gazetarë që raportojnë nga Mitrovica kanë ngritur dyshime se qëndrimi i Kurtit dhe zyrtarëve të tjerë të Vetëvendosjes atë natë mund të ketë ndikuar edhe në rezultatin e zgjedhjeve të 12 tetorit në Mitrovicë.
Gazetari Shkumbin Kajtazi, ka shkruar në Facebook se “Exit Poll-i i UBO-s është i saktë. Ka dyshime se, përveç blerjes së votave, në Mitrovicë janë vjedhur edhe shumë vota. Në Shipol ka nisur hetimi i një skeme ultra-kriminale, që dyshohet se ka ndikuar në ndryshimin e rezultatit. Policia ka dëshmitarë, dhe kamerat e pikave 01 dhe 05 pritet ta zbardhin skemën”.
Edhe gazetari tjetër nga Mitrovica, Gazmend Morina, ka pohuar se rezultati në Shipol është i dyshimtë dhe se ai vetë kishte kërkuar qasje nga Policia e Kosovës në kontratën për ndërtimin e nënstacionit në Izvor, por pa marrë përgjigje. Ai thekson gjithashtu se pronari i të njëjtit lokal ku qëndroi Kurti shfaqet në përurimin e objektit policor bashkë me Kurtin.









