Të dhëna të reja kanë zbuluar se çdo ditë bien nga një deri në katër satelitë Starlink në Tokë, ndërsa numri pritet të rritet me zgjerimin e konstelacionit hapësinor të kompanisë SpaceX.
Jonathan McDowell, astronom në Qendrën Harvard-Smithsonian për Astrofizikë në SHBA, ka regjistruar se në vitin 2025 janë shënuar mesatarisht deri në dy dalje nga orbita në ditë, ndërsa pret që ky numër të rritet në pesë në ditët në vijim.
“Me zgjerimin e konstelacionit, mund të shohim deri në pesë satelitë që bien çdo ditë,” deklaroi McDowell.
Satelitët Starlink, me një jetëgjatësi rreth pesëvjeçare, janë të projektuar të digjen tërësisht në atmosferë gjatë rikthimit, pa arritur në sipërfaqen e Tokës. Por, pavarësisht kësaj, pamjet e rënies së tyre në rrjete sociale kanë nxitur shqetësime publike për sigurinë dhe ndikimet mjedisore.
“Dalja nga orbita e këtyre satelitëve mund të mos përbëjë rrezik të drejtpërdrejtë për njerëzit, por është ende një çështje që meriton vëmendje,” thekson McDowell.
Shkencëtarët po hetojnë efektet që ndotësit e krijuar nga djegia, si grimcat e oksidit të aluminit, mund të kenë në atmosferën e Tokës, duke përfshirë ndikimet në shtresat e larta të ajrit dhe potencialisht edhe në ngrohjen globale.






