“Arrestimi i Shehollit rrezik serioz për rendin kushtetues” – Avokatët tregojnë se sa vite burgim mund të dënohet për spiunazh

Pothuajse 25 vjet paslufte, ish-pjesëtari i Sigurimit Shtetëror të Serbisë (UDB) gjatë viteve ’90, Fatmir Sheholli është arrestuar në Prishtinë nën dyshimin për spiunazh.

Arrestimi i tij është kryer nga Prokuroria Speciale, nën asistencën e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, tha sot Prokuroria në një njoftim për media.

Dy avokatë të njohur, Ardian Bajraktari dhe Xhevdet Smakiqi, kanë folur në lidhje me këtë çështje, duke e vlerësuar si një rast me ndikim të madh në sigurinë kombëtare të Kosovës.

Avokati Ardian Bajraktari thekson rëndësinë e veprës penale të spiunazhit, duke përmendur pasojat që sjell për rendin kushtetues dhe stabilitetin e vendit.

“Spiunazhi është vepër e veçantë penale, e cila bën pjesë në mesin e veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. Kjo kategori, e veçmas kjo vepër penale, është me pasoja të mëdha për rendin kushtetues dhe për sigurinë e vendit. Ruajtja e disa të dhënave të natyrës sekrete është me interes thelbësor jo vetëm për sigurinë e vendit, por edhe për vendin në përgjithësi, prandaj, bazuar në rëndësinë që kanë të dhënat e tilla, si dhe pasojat që mund të shkaktohen nga vepra penale e spiunazhit, shkalla e ndëshkimit është nga 5 deri në 12 vite burgim.”

Bajraktari shton se këto vepra penale kanë pasoja serioze, në rastet kur kemi të bëjmë me krijimin apo drejtimin e ndonjë shërbimi të huaj informativ në Kosovë, dënimi është së paku 10 vjet burgim.

“Madje në rastet kur kemi të bëjmë me krijimin e ndonjë shërbimi të huaj informativ në Kosovë apo drejtimin e tij, dënimi është së paku 10 vite burgim, kurse nëse kemi të bëjmë me hyrje, përkatësisht rekrutim në ndonjë shërbim të huaj informativ, me mbledhjen e të dhënave për të apo në ndonjë mënyrë tjetër ndihmën e shërbimeve të tilla, dënimi është me së paku 5 vite burgim, por që mund të shkoj deri në 25 vite, aq sa është maksimumi i përgjithshëm i dënimit me burgim”, tha ai.

Ndërkohë, avokati Xhevdet Smakiqi ndalet te rëndësia e ruajtjes së të dhënave sekrete dhe thirrja për mbështetje të institucioneve që po merren me rastin.

“Vepra penale spiunazhi nga neni 124 të KPRK-së është parashikuar në kapitullin XIV të veprave penale të rënda kundër Rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës. Edhe pse në këtë fazë edhe Fatmir Sheholli konsiderohet i pafajshëm në zbatim të parimit të prezumimit të fajësisë, ai në një procedurë penale tashmë të iniciar nga PSRK-ja, nëse rezulton me shpalljen fajtor, mund të dënohet nga neni 124 par. 1 jo më pak se 5 vjet deri në 12 vjet”, tregoi ai.

Smakiqi tutje tha se këto vepra penale kanë efekt dhe pasoja të drejtpërdrejta në sigurinë kombëtare.

“Sa i përket rrezikimit të Republikës së Kosovës, këto vepra penale kanë efekt dhe pasoja të drejtpërdrejta në sigurinë kombëtare, pasi shpërndarja apo ekspozimi i sekreteve shtetërore te agjencitë armike rrezikon stabilitetin dhe rendin juridik kushtetues, siç janë rastet e spiunazhit dhe sabotimit”, tha ai.

Në fund, Smakiqi nënvizon nevojën për profesionalizëm të lartë nga organet e drejtësisë, duke thënë se duhet organet e drejtësisë të punojnë me efektivitet dhe fokusim të veçantë për këto vepra, pasi kryhen zakonisht me dashje direkte.

“Duhet të mbështetet dhe përgëzuar AKI, Policinë dhe PSRK-në për përmbushjen e mandatit ligjor ku hetohen dhe akuzohen të dyshuarit për këto vepra penale që mbrojnë rendin juridik kushtetues dhe sovranitetin e Kosovës. Për këto vepra penale, duhet organet e drejtësisë të punojnë me efektivitet dhe fokusim të veçantë, pasi kryhen zakonisht me dashje direkte dhe nga personat me inteligjencë të lartë dhe pesha e përgjegjësisë është absolute për veprimet dhe pasojat që shkaktohen në dëm të sigurisë kombëtare të Kosovës”, tha ai.

Rasti “Sheholli” aktualisht është në fazën e hershme të procedurës hetimore, ndërsa pritet që organet e zbatimit të ligjit të vazhdojnë me hetime të hollësishme.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit