Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, në një intervistë për “Radio Evropa e Lirë” ka shprehur shqetësime për gjuhën dhe veprimet ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe për disa veprime që janë ndërmarrë gjatë muajve të fundit në veri të Kosovës, pa konsultim me komunitetet e prekura.
Ai tha ndër të tjera:
“I kemi disa shqetësime, që i ndajmë me partnerët e tjerë ndërkombëtarë. I përmenda disa prej këtyre shqetësimeve për gjuhën ndaj Gjykatës Kushtetuese. I kemi thënë publikisht. E kam thënë publikisht se jam i shqetësuar për disa prej veprimeve që janë ndërmarrë, veçanërisht në veri të Kosovës gjatë muajve të fundit, të cilat nuk janë bërë në konsultim të mirëfilltë me komunitetet e prekura, dhe të cilat kanë nxitur frikë dhe paqëndrueshmëri në këto komunitete”.
Ambasadori gjithashtu theksoi se:
“Brengosem kur dëgjoj njerëzit duke vënë në pikëpyetje themelin e këtij shteti, i cili, nga këndvështrimi ynë, mbështetet në Planin e Ahtisaarit, siç pasqyrohet në Deklaratën e Pavarësisë dhe në Kushtetutë; i cili formon lidhjen themelore ndërmjet vendeve tona, sepse pikërisht mbi këtë themel ne e mbështetëm ndihmën tonë thelbësore që Kosova të fitonte njohje nga mbi 100 vende”.
Ai ka bërë apel për mbrojtjen e komuniteteve joshumicë dhe për veprime konkrete që garantojnë se këto komunitete ndihen të integruara dhe të mbrojtura:
“Në veçanti, është tejet e rëndësishme mbrojtja e komuniteteve joshumicë, që ishte në thelb të të tri dokumenteve që i përmenda. I kemi disa… Do të donim të shihnim një zbatim më aktiv të atyre parimeve, të mbrojtjes së njëmendtë të të drejtave të komuniteteve joshumicë, një gjuhë dhe veprime vërtet aktive, që garanton se të gjitha komunitetet joshumicë që jetojnë në këtë vend ndihen vërtet të mbrojtura, ndihen se kanë të ardhme këtu, ndihen se janë pjesë e këtij vendi”.
Hargreaves gjithashtu foli për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, të cilat sipas tij kanë rrënjët që nga viti 1999 dhe mbeten të forta:
“Gjëja e parë që më ka lënë përshtypje, në pothuajse çdo takim që kam zhvilluar gjatë kohës time këtu, është thellësia dhe ngrohtësia e marrëdhënies ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, e cila, siç e dini, daton nga viti 1999, kur trupat britanike ishin ndër të parat që erdhën si pjesë e operacionit të NATO-s. Më 2008, Mbretëria e Bashkuar ishte vendi i parë që njohu pavarësinë e Kosovës. Kemi bashkëpunuar gjatë dhe thellësisht për sigurinë, dhe ne besojmë se Kosova duhet të jetë dhe është vend i pavarur dhe sovran. Prandaj, mendoj se marrëdhënia mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës i ka rrënjët shumë të forta, dhe ne jemi shumë krenarë për këtë e vazhdojmë të jemi, dhe do të vazhdojmë kësisoj”.









