Një ngjarje e rëndë u regjistrua mbrëmjen e djeshme në fshatin Miradi e Epërme të Fushë Kosovës, ku një person mbeti i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Sipas informacioneve të siguruara nga burime të afërta me rastin, i plagosuri është Ibush Gjyrevci, ndërsa i dyshuari për rastin është nipi i tij, Fidan Gjyrevci.
Ngjarja raportohet të ketë ndodhur rreth orës 21:00, kur Policia e Kosovës është njoftuar për të shtëna me armë në këtë fshat. Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa i lënduari është transportuar për trajtim mjekësor.
Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se incidenti ka ndodhur pas një mosmarrëveshjeje mes familjarëve. Motivet dhe rrethanat e sakta të përdorimit të armës mbeten ende nën hetim.
Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar njësitet hetimore dhe krimteknika, të cilat kanë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe kanë mbledhur prova materiale.
Me urdhër të prokurorit kompetent janë ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale, ndërsa Policia e Kosovës po vazhdon hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit dhe përgjegjësinë penale të personave të përfshirë.
Autoritetet pritet të dalin me informacione shtesë pas përfundimit të veprimeve të para hetimore.








