Mirlind Daku po kalon një formë të shkëlqyer në Rusi, ku me fanellën e Rubin Kazanit është kthyer në protagonist absolut falë golave të shumtë që ka realizuar.
Në një intervistë të fundit, sulmuesi i Kombëtares foli si për karrierën e tij në Rusi, ashtu edhe për ndeshjet vendimtare që e presin kuqezinjtë në tetor.
“Për të shënuar paguhem dhe atë po bëj. Jam shumë i fokusuar te ndeshjet një nga një. Mundohem gjithmonë të jap maksimumin tim, të ndihmoj ekipin dhe pse jo të bëj edhe statistika më të mira se sezonin e kaluar, sepse tashmë e njoh shumë më mirë ligën dhe kundërshtarët,” tha Daku.
Ai shtoi se synimi i radhës është me Kombëtaren: “Tani na presin ndeshje shumë të rëndësishme me Kombëtaren. Jemi ende në garë për të shkuar në Botëror dhe do të luftojmë deri në fund për ta arritur këtë objektiv. Është një ëndërr dhe një dëshirë e secilit prej nesh dhe do të japim gjithçka që të bëhet realitet.”








