24 shtatori do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e qytetarëve të Vushtrrisë dhe të gjithë Kosovës si ditë dhimbjeje dhe krenarie.
Sot u shënuan dy vite nga rënia heroike e policit të Kosovës, Afrim Bunjaku, i cili humbi jetën gjatë sulmit terrorist në Banjskë, duke mbrojtur rendin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, bëri homazhe pranë varrit të heroit dhe vizitoi familjen Bunjaku, duke përcjellë mirënjohjen dhe respektin e qytetit për sakrificën supreme të tij.
“Afrimi ishte baba i përkushtuar dhe qytetar i ndershëm i Vushtrrisë, që u përball me guxim ndaj një sulmi të organizuar ushtarakisht e të financuar nga Serbia. Rënia e tij nuk është vetëm humbje për familjen, por plagë e përbashkët për gjithë Kosovën”, u shpreh Idrizi.
Heroi Afrim Bunjaku do të mbetet përjetësisht shembull i trimërisë dhe përkushtimit ndaj atdheut.









