Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka vazhduar dëshmia e ish-këshilltarit të NATO-s, John Stewart Duncan, i cili është thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Duncan deklaroi se gjatë viteve 1998 deri në 2001 kishte shërbyer si këshilltar i gjeneralit Wesley Clark, komandant suprem i forcave aleate të NATO-s për Evropë gjatë luftës në Kosovë.
“Unë isha personi që i merrja shënimet në takime,” tha Duncan, duke përshkruar rolin e tij në përgatitjen e informacioneve për komandantët dhe në rastet kur kishte takime me përfaqësues diplomatikë.
Ai theksoi se kishte ndërtuar një kuptim të gjerë për mënyrën se si funksiononte shoqëria shqiptare në atë kohë.
“Pak a shumë, të gjitha. Unë e kisha një panoramë se si funksiononte shoqëria shqiptare. Isha i interesuar se si funksiononte shoqëria. Si funksionojnë pushtetet, sepse këtë duhej t’ua shpjegonim eprorëve përkatës”, deklaroi ai.
Në dëshminë e tij, Duncan përmendi se një nga çështjet që ngjallte shqetësim te partnerët ndërkombëtarë ishte ideja e Shqipërisë së Madhe.
“Ideja e Shqipërisë së Madhe, e shqetësonte shoqërinë ndërkombëtare. Ata donin të dinin se si ishte marrëdhënia e Shqipërisë me shqiptarët e Kosovës. Unë këtë duhej ta kuptoja për t’ua treguar eprorëve të mi”, shtoi ai.









