Për herë të parë, Radiotelevizioni Italian RAI do të nisë më 21 shtator transmetime të dedikuara në gjuhën arbëreshe, duke i dhënë zë dhe hapësirë një prej komuniteteve më të vjetra shqiptare në diasporë. Iniciativa e RAI Calabria-s parashikon prodhimin e reportazheve dhe emisioneve radio-televizive, të cilat synojnë të ruajnë kulturën, gjuhën dhe identitetin e arbëreshëve në Itali.
Gazetarja Alba Kepi, në një intervistë për Andri Xhahun në emisionin “Në radio”, e quajti këtë zhvillim si “fitoren e një beteje institucionale të nisur që në vitin 2022”. Pas shumë takimesh mes përfaqësuesve arbëreshë, RAI Calabria-s dhe institucioneve italiane, çështja arriti deri në Senat, ku u miratua dhe fondi i dedikuar në buxhetin e radiotelevizionit publik në maj 2024.
Programet e reja nisin të dielën, më 21 shtator. Nga ora 09:30–10:30 në Rai 3 do të transmetohet një emision i përjavshëm televiziv, i fokusuar tek vizitat në qytezat arbëreshe dhe dokumentimi i jetës së tyre. Ndërkohë, çdo ditë nga e hëna në të premte, në Radio Rai 1, do të transmetohet një program rreth 30-minutësh që do të evidentojë traditat, zakonet, moralin dhe trashëgiminë gjuhësore të arbëreshëve.
“Ky është rasti i parë që një media publike italiane i kushton një seri emisionesh komunitetit arbëresh,” thekson Kepi. Ndryshe nga minoritetet e tjera që janë mbështetur kryesisht në televizione private, arbëreshët kanë tashmë një hapësirë zyrtare brenda medias kombëtare italiane – një hap i konsideruar si revolucionar në raport me mbrojtjen e kulturës.
Rëndësia e këtij projekti lidhet edhe me sfidat demografike që përjeton komuniteti. Emigrimi masiv i të rinjve nga jugu i Italisë ka bërë që shumë prej qytezave arbëreshe të mbeten të populluara kryesisht nga të moshuar, duke vënë në rrezik gjuhën dhe trashëgiminë kulturore. “Kam vizituar mbi 90% të fshatrave arbëreshë dhe kam parë nga afër këtë rrezik,” tregon Kepi, duke shtuar se roli kyç në mbajtjen gjallë të gjuhës ka qenë gjithmonë i nënës në familje.
Sipas saj, emisionet do të kenë një ndikim të madh, pasi do të transmetohen në shqipen arbëreshe, duke u shndërruar në një mjet edukimi dhe motivimi për gjeneratat e reja. Projekti është planifikuar të zgjasë 13 muaj, por nëse rezulton i suksesshëm, RAI parashikon zgjerimin e programacionit.
Ky hap historik shënon një moment kthese për arbëreshët e Italisë, të cilët prej gati gjashtë shekujsh kanë ruajtur gjuhën dhe traditat shqiptare. Për ta, transmetimet në gjuhën e të parëve nuk janë vetëm media, por një urë e fortë që lidh të shkuarën me të ardhmen.






