Ushtria izraelite ka thënë se forca ajrore e saj goditi rreth 50 caqe në Rripin e Gazës gjatë natës së kaluar, shumica prej tyre në Qytetin Gaza.
Sipas ushtrisë, gjatë 24 orëve të fundit u goditën gjithsej 140 caqe.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë se në mesin e shënjestrave ishin tunelet e ndërtesat që përdoren nga grupet terroriste, celula të operativëve dhe pjesë të tjera të infrastrukturës, por nuk dhanë shumë hollësi të tjera rreth ofensivës së re në zonën më të madhe urbane të enklavës, e cila nisi të martën.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Katarit tha se “e dënon në termat më të fortë” ofensivën tokësore të forcave izraelite në Qytetin Gaza, raporton “The Times of Israel”.
Sipas Katarit, qëllimi i kësaj ofensive është marrja e Gazës nën kontroll, duke e quajtur atë “zgjatje të luftës së gjenocidit kundër popullit vëllazëror palestinez dhe shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare”.
Rreth 400 mijë palestinezë deri më tani janë evakuuar nga Qyteti Gaza dhe nga zona të tjerë të enklavës, sipas një vlerësimi të ri të ushtrisë izraelite.
Vlerësohej se rreth 1 milion palestinezë ishin duke banuar në Qytetin Gaza para se të fillonin përgatitjet për ofensivën e gjerë kundër Hamasit.
Para nisjes së ofensivës, ushtria izraelite i kishte urdhëruar palestinezët në të gjitha zonat e Qytetit Gaza që menjëherë të evakuoheshin në një zonë humanitare të caktuar nga Izraeli, në pjesën jugore të enklavës.










