FC Vushtrria, një ndër klubet më të vjetra dhe më të njohura në futbollin kosovar, sot po përballet me një krizë të thellë menaxheriale. Edhe pse dikur ishte krenaria e qytetit të Vushtrrisë, sot ky klub është shndërruar në një shembull dështimi, shkruan Veriu24
Përkundër faktit që prapa klubit qëndrojnë donatorë milionerë, FC Vushtrria ka mbetur ndër klubet më të dobëta në Kosovë. Arsyeja kryesore është keqmenaxhimi i hapur dhe mungesa e transparencës në shpenzimet financiare. Në vend që investimet të shkojnë në ngritjen e cilësisë së lojtarëve dhe përmirësimin e kushteve, ato shihen të shpërdorohen, duke e lënë klubin në gjendje të mjerueshme.
Gjeneratat e reja – të braktisura dhe të zhgënjyera
Problemet nuk ndalen vetëm tek ekipi i parë. Shumë prindër të futbollistëve të rinj kanë ngritur ankesa të vazhdueshme për mënyrën se si trajtohen gjeneratat e reja. Ata detyrohen të paguajnë një shumë mujore prej 25 eurosh për ushtrime, por shpesh edhe shpenzime shtesë. Një gjë e tillë është absurde për një klub që mbështetet nga investitorë multimilionerë.
Për më tepër, në vend që të mbretërojë meritokracia, shpesh vendimet për aktivizimin e lojtarëve merren mbi baza të lidhjeve familjare ose shoqërore. Fëmijët që nuk kanë prindër të “fortë” mbesin jashtë formacionit, edhe kur janë më të talentuar se bashkëmoshatarët e tyre. Kjo ka sjellë pakënaqësi të madhe tek familjet dhe ka demotivuar shumë të rinj që ëndërrojnë të bëhen futbollistë.
Klubi i qytetit që po humb identitetin
Nga një klub me traditë e me tifozë të zjarrtë, FC Vushtrria sot po humb identitetin. Tifozët, dikur shtylla kryesore e suksesit, janë të zhgënjyer dhe gjithnjë e më pak të pranishëm në stadium. Atmosfera që dikur e dallonte qytetin, sot është zëvendësuar nga apatia dhe zhgënjimi i përgjithshëm.
Nëse nuk merren masa urgjente për të ndalur keqmenaxhimin dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve, FC Vushtrria rrezikon të mbetet vetëm një kujtim i së kaluarës, duke u shuar ngadalë si klub.








