Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka komentuar ditën e dytë të dëshmisë së James Rubin, ish-ndihmës i Sekretares amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, duke theksuar se gjykimi në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë “ka njollosur keq drejtësinë ndërkombëtare”.
Rama ka ndarë gjithashtu një video-sekuencë ku Rubin shpreh shqetësimin e tij për faktin se Hashim Thaçi ka qëndruar në paraburgim për plot pesë vjet.
“Fakti që i akuzuari ka qenë në burg për pesë vjet pasi vullnetarisht iu vetëofrua Gjykatës në një kohë kur ishte gati të bënte një marrëveshje paqe me udhëheqësin serb, më shqetësoi. Që politika të ndërhyjë në sundimin e ligjit – kjo më shqetëson. Më shqetëson që ai do të ishte në burg për pesë vjet para se çështja mund të fillonte”, thotë Rubin në video-sekuencën e shpërndarë nga Rama.









