Zbardhet dëshmia në polici e Ragip Gilës, 30-vjeçarit të arrestuar si autor i dyshuar i masakrës së sotme në Shkodër, ku mbetën të vrarë Armando Pali dhe Liridon Kraja, ndërsa u plagosën Erogen Vaso dhe kamarierja Meri Kaceri.
Në deklarimin e tij fillestar para hetuesve, Gila ka thënë qartë se shënjestra e vetme ishte Erogen Vaso.
“Objektivi im ishte vetëm Erogen Vaso pas një problemi personal me të. Erogen Vaso ka ndenjur duke më ka kërcënuar dhe kisha probleme me të. Më ka bërë si i fortë dhe më ka çuar fjalë. E kam patur personale vetëm me Erogen Vason dhe doja të qëlloja vetëm atë. Pra kam patur probleme personale me të”, është shprehur ai gjatë marrjes në pyetje.

Erogen Vaso
Arrestimi i Gilës u bë pas një ndjekjeje intensive nga forcat e policisë. Gjatë tentativës për t’i shpëtuar kapjes, ai është rrëzuar nga një lartësi poshtë shinave të trenit në shtratin e lumit Kir, duke dëmtuar njërën këmbë. Në ato momente, policia i ka bërë thirrje për të hedhur armën dhe për t’u dorëzuar. Gila ka reaguar duke thënë: “E kam hedhur armën, jam dorëzuar, më dhemb këmba shumë”.

Autori Ragib Gila
Pas kësaj, 30-vjeçari është vënë në pranga dhe është transportuar për t’u marrë në pyetje. Në dëshminë e dhënë më pas, ai ka këmbëngulur se gjithçka lidhej me konfliktin personal që kishte me Erogen Vason.
Megjithatë, policia ka marrë me rezervë versionin e tij. Hetuesit po verifikojnë nëse pas Gilës qëndrojnë persona të tjerë që mund ta kenë porositur për të ekzekutuar Vason, i cili mbeti i plagosur rëndë dhe ndodhet në spitalin ushtarak në Tiranë nën kujdes intensiv.
Masakra e sotme ka tronditur Shkodrën, duke rihapur edhe njëherë debatin mbi përshkallëzimin e dhunës dhe rolin e grupeve kriminale në zonë. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se hetimet do të shtrihen në pistën e konflikteve personale, por edhe në atë të një atentati të porositur.









